Juventusi ka fituar në udhëtim te Sassuolo me rezultat 3-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 23-të në Serie A.

Zonja e Vjetër i është kthyer fitores në kampionatin italian pas barazimit befasues në shtëpi ndaj Parmas.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte thuajse e barabartë nga të dyja skuadrat që krijuan njësoj raste, por Bianconerët gjetën edhe golin.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 23-të dhe ishte Sami Khedira, i cili shënoi nga afërsia për epërsinë 1-0.

Khedira dhe Ronaldo shënuan nga një gol (Foto: Alessandro Sabattini/Getty Images/Guliver)

Në pjesën e dytë, vendasit filluan më mirë duke tentuar golin e barazimit, por Juventusi nuk lejoi befasi duke shënuar edhe dy herë tjera.

Në minutën e 70-të ishte ylli portugez, Cristiano Ronaldo, i cili shënoi një gol të bukur me kokë pas asistimit të Miralem Pjanic duke e ngritur epërsinë në 2-0.

Ronaldo ishte vendimtar edhe në minutën e 86-të pasi pas asistimit të tij ishte Emra Can që shënoi për 3-0 dhe vulosi rezultatin përfundimtar.

Pas kësaj fitore, Juventusi ka 63 pikë në vendin e parë, ndërsa Sassuolo renditet në vendin e 11-të me 30 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Zonja e Vjetër e pret në shtëpi Frosinonen, ndërsa Sassuolo udhëton te Empoli. /Telegrafi/