Juventusi kërkon yllin e Manchester Cityt – kontaktet mes klubeve kanë nisur

Juventusi ka nisur bisedimet me Manchester Cityn për një transferim të mundshëm të Tijjani Reijnders, pasi klubi italian po shqyrton alternativa për mesfushorin pa kontratë Franck Kessie, marrëveshja me të cilin ka ngecur.
Sipas Tuttomercatoweb, duke iu referuar La Stampa, Juventusi ka bërë kontaktet e para si me përfaqësuesit e Reijndersit, për të kuptuar gatishmërinë e holandezit për t’iu bashkuar projektit të klubit, ashtu edhe me Manchester Cityn, për të parë nëse kampioni anglez do të pranonte një huazim.
Ende nuk ka një negociatë zyrtare, por pritet që dialogu mes palëve të vazhdojë.
Interesimi për Reijndersin tregon dëshirën e Juventusit për të rinovuar mesfushën, një repart që trajneri Luciano Spalletti kërkon ta përforcojë.
Reijnders është një tjetër ish-lojtar i Milanit që mund të rikthehet në Serie A. Ai u transferua te Manchester City vetëm një vit më parë për rreth 55 milionë euro, por raportohet se tashmë ka humbur një pjesë të rëndësisë në hierarkinë e Pep Guardiolës pas një fillimi pozitiv në Angli.

Kandidatura e tij është forcuar edhe për shkak se marrëveshja me Kessien ende nuk është finalizuar.
Mesfushori nga Bregu i Fildishtë, i lirë që nga 30 qershori, është afruar me një marrëveshje me Juventusin ditët e fundit, por nuk dëshiron të presë pafundësisht dhe ka bërë të qartë se kërkon ta zgjidhë shpejt të ardhmen e tij.
Një problem për Juventusin mbetet numri i madh i mesfushorëve në skuadër, pasi aktualisht ky repart përbëhet nga tetë lojtarë, ndaj largimi i të paktën njërit ose disa futbollistëve është i nevojshëm para një transferimi të ri.
Përveç Reijndersit, Juventusi po monitoron edhe Leon Goretzkan dhe Davide Frattesin si alternativa, por aktualisht është holandezi ai që shihet si emri më interesant në listën e klubit bardhezi./Telegrafi/















































