Edicioni evropian 2026/27 nisi me katër përfaqësues apo ekipe të Kosovës në garat e UEFA-s, por pas përfundimit të raundit të dytë kualifikues, vetëm Drita vazhdon të mbajë gjallë ëndrrën evropiane. Ballkani, Malisheva dhe Dukagjini i kanë dhënë fund aventurës së tyre, duke e lënë kampionin e Kosovës si të vetmin klub që do të përfaqësojë vendin në skenën ndërkombëtare.

Dështimi më i madh për ekipet e Kosovës erdhi në Ligën e Konferencës, ku të tre skuadrat u eliminuan në raundin e dytë kualifikues.


Ballkani nuk arriti ta përmbyste humbjen e ndeshjes së parë ndaj Bohemians, duke u eliminuar në penallti. Malisheva nuk e mbrojti epërsinë 2-0 të krijuar në sfidën e parë ndaj Hibernianit, ndërsa Dukagjini u eliminua pa arritur të fitojë asnjërën prej dy ndeshjeve ndaj Luganos.

Ecuria dhe paratë e fituara

Pavarësisht eliminimit, klubet kosovare siguruan përfitime të konsiderueshme financiare nga pjesëmarrja në garat evropiane.

Ballkani arkëtoi rreth 700 mijë euro, po aq sa edhe Malisheva, ndërsa Dukagjini përfitoi 525 mijë euro. Këto të ardhura mbeten një mbështetje e rëndësishme për klubet, si për investime në skuadër, ashtu edhe për zhvillimin e infrastrukturës.

Klubi therandas, në raundin e parë eliminoi ekipin Connahs, duke fituar 3-2 në ndeshjen kthyese, pas barazimit 0-0 në udhëtim.

Ndaj Bohemians, Ballkani ishte i pafat, pasi u eliminua vetëm me penallti, edhe pse ishte afër kualifikimit deri në minutën e 88-të, ku pranuan golin për 3-2, rezultat i cili i dërgoi në vazhdime dhe pastaj në penallti, pasi ndeshja e parë u humb 2-1.

Malishevasit i nisën mirë garat, duke eliminuar ekipin shqiptar, Vllaznia, pasi fituan 5-0 në Prishtinë pas humbjes 2-1 në Shkodër.

Në raundin tjetër, klubi kosovar ishte i pafat, pasi humbi 4-1 në udhëtim, duke mos arritur të mbajë epërsinë e krijuar 2-0 nga ndeshja e parë.

Klinasit i filluan garat nga raundi i dytë pasi ishin fitues i Kupës së Kosovës, dhe fitimet erdhën vetëm nga kualifikimi.

Në dy ndeshjet e luajtura në raundin e dytë të Ligës së Konferencës, Dukagjini u mposht në udhëtim 0-1 dhe në shtëpi 5-1.

Drita, kampione e përfitimeve dhe ecurisë

Nga ana tjetër, Drita vazhdon ta rrisë bilancin financiar. Kampionët e Kosovës kanë siguruar tashmë 1 milion e 335 mijë euro.

Në rast se eliminojnë Tre Fiorin dhe sigurojnë të paktën fazën e ‘play-off’-it të Ligës së Konferencës, fitimet e tyre do të kalojnë shifrën e 2 milionë eurove, duke vendosur një tjetër rekord për futbollin kosovar.

Drita i nisi garat në Ligën e Kampionëve, ku e eliminuan nga Kauno Zalgiris pas barazimit 1-1 në udhëtim dhe humbjes 2-3 në Prishtinë, teksa në Ligën e Konferencës, barazuan me Florianan 1-1 në udhëtim dhe fituan në shtëpi 2-1.

Koeficienti i fituar

Në renditjen e koeficientit të UEFA-s, Ballkani ishte skuadra që dha kontributin më të madh këtë verë, duke i sjellë Kosovës 0.625 pikë, ndërsa Malisheva shtoi 0.500 pikë. Dukagjini nuk arriti të kontribuojë, pasi u mposht në të dyja ndeshjet e zhvilluara.

Tani, e gjithë barra e koeficientit të Superligës së Kosovës bie mbi Dritën, e cila mbetet shpresa e vetme për ta përmirësuar renditjen e vendit në UEFA.

Një vend në Ligën e Evropës apo humbja e ‘vendit të katërt’

Shanset e Kosovës për ta rikthyer një vend në garat e Ligës së Evropës për edicionet e ardhshme janë praktikisht zero, pasi diferenca me vendet përpara është bërë e paarritshme.

Megjithatë, lajmi i mirë është se edhe rreziku për ta humbur vendin e katërt në garat evropiane është po aq i vogël, zero.

Kjo do të thotë se edhe për sezonin e ardhshëm 2027/28, futbolli kosovar pritet të përfaqësohet me katër skuadra në garat e UEFA-s, ndërsa shpresa për një koeficient më të mirë mbetet vetëm te vazhdimi i rrugëtimit të Dritës. /Telegrafi/

telegrafi sport app