Legjenda e Milanit dhe Italisë, Franco Baresi mbylli sytë në moshën 66-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pavdekshme në historinë e futbollit botëror. Por, kush ishte Baresi, çfarë i ofroi futbollit dhe çfarë fitoi nga futbolli?

Bota e futbollit është në zi pas ndarjes nga jeta të Franco Baresit, njërit prej mbrojtësve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.


Legjenda italiane u shua në moshën 66-vjeçare, duke lënë pas një karrierë që do të mbetet përgjithmonë pjesë e historisë së Milanit, kombëtares së Italisë dhe futbollit botëror.

I lindur më 8 maj 1960 në Travagliato të Italisë, Baresi e lidhi të gjithë karrierën e tij me Milanin. Ai debutoi me ekipin e parë në vitin 1977 dhe nuk veshi kurrë fanellën e një klubi tjetër, duke u shndërruar në simbolin e besnikërisë në futboll.

Gjatë 20 sezoneve me kuqezinjtë, ai zhvilloi plot 719 ndeshje zyrtare, shënoi 33 gola dhe mbajti shiritin e kapitenit për plot 15 vite. Në nder të kontributit të tij, Milani tërhoqi përfundimisht fanellën me numrin 6 pas pensionimit të tij.

Me Milanin, Baresi fitoi gjithçka që mund të fitohej. Ai ngriti 6 tituj të Serie A, 4 Superkupa të Italisë, 3 Kupa të Kampionëve Evropianë/Ligën e Kampionëve (1989, 1990 dhe 1994), 2 Superkupa të UEFA-s dhe 2 Kupa Interkontinentale, duke qenë lideri i brezit legjendar të Arrigo Sacchit dhe më pas të Fabio Capellos, ekip që dominoi futbollin evropian në fundin e viteve '80 dhe fillimin e viteve '90.

Edhe me fanellën e Italisë, Baresi shkroi histori. Ai zhvilloi 81 ndeshje me "Azzurrët", fitoi Kupën e Botës 1982 si pjesë e skuadrës kampione dhe më vonë ishte kapiten i Italisë në Botërorin 1994, ku arriti deri në finale ndaj Brazilit. Edhe pse u rikthye në kohë rekord nga një operacion në gju për të luajtur finalen në Pasadena, Italia u mposht pas penalltive.

Ai ishte gjithashtu pjesë e Italisë që përfundoi në vendin e tretë në Kupën e Botës 1990, duke u bërë një nga futbollistët e rrallë që ka përjetuar vendin e parë, të dytë dhe të tretë në një Kampionat Botëror.

I konsideruar nga shumë si një prej mbrojtësve më inteligjentë në historinë e lojës, Baresi revolucionarizoi rolin e liberos falë leximit të jashtëzakonshëm të lojës, pozicionimit perfekt dhe aftësisë për të udhëhequr mbrojtjen.

Emri i tij frymëzoi breza të tërë mbrojtësish italianë, përfshirë Paolo Maldinin, Alessandro Nestën dhe Fabio Cannavaron, ndërsa figura e tij mbeti sinonim i lidershipit, disiplinës dhe besnikërisë.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Baresi vazhdoi të shërbente te Milani në role drejtuese dhe ishte nënkryetar nderi i klubit deri në ditët e fundit të jetës së tij.

Vdekja e tij ka sjellë reagime prekëse nga e gjithë bota e futbollit, me Milanin që e përshkroi si një figurë, integriteti dhe trashëgimia e së cilës do të jetojnë përgjithmonë në ADN-në e klubit. /Telegrafi/

telegrafi sport app