Ish-lojtari i njohur i Ligës Premier: Viniciusi mund ta shkatërrojë Arsenalin

Ish-sulmuesi i Ligës Premier, Charlie Austin, ka paralajmëruar se transferimi i Vinicius Junior te Arsenali mund të "sjellë më shumë dëm sesa përfitim" për klubin londinez. Edhe pse pranon se ylli i Real Madridit do të ishte një përforcim fenomenal, Austin beson se paga e tij marramendëse mund të shkatërrojë plotësisht strukturën e pagave te "Topçinjtë".
Arsenali ka nisur "Operacionin Vinicius", pasi klubi anglez ka shpresa reale për të realizuar transferimin më të bujshëm në historinë e tij. "Topçinjtë" janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për ta sjellë anësorin e Real Madridit në "Emirates".
Këtë javë priten bisedime vendimtare mes Viniciusit, përfaqësuesve të tij dhe drejtuesve të Real Madridit. Këto diskutime do të përcaktojnë nëse braziliani do të rinovojë kontratën në "Santiago Bernabeu", opsion që mbetet ende zgjedhja e tij e parë.
Për ta bindur brazilianin të transferohet në Londër, Arsenali është i gatshëm të thyejë strukturën aktuale të pagave. Sipas Telegraph, klubi anglez mund t’i ofrojë një pagë bazë prej më shumë se 464 mijë eurosh në javë, ndërsa bonuset dhe të drejtat e imazhit mund ta rrisin edhe më shumë fitimin total të tij.

Duke folur për Sky Sports Neës, ish-sulmuesi i Ligës Premier, Charlie Austin, shprehu shqetësime serioze për ndikimin financiar që një marrëveshje e tillë mund të ketë në skuadrën e Mikel Artetës. Ai paralajmëroi se diferenca e madhe në paga mund ta destabilizojë klubin.
"Mendoj vërtet se kjo mund ta prishë strukturën te Arsenali. Nuk mendoj se do të ishte mënyra apo identiteti që Arsenali ka ndërtuar gjatë katër, pesë apo gjashtë viteve të fundit”.
"Në të kaluarën të gjithë e kritikonim Arsenalin, por shikoni se si kanë arritur ta ndërtojnë veten deri në këtë pikë. Të sjellësh një lojtar të tillë do ta shkatërronte strukturën. Ai do të fitojë pothuajse dy herë e gjysmë më shumë se Declan Rice”.
"Lojtarët e dinë që ai nuk do të vijë lirë. Do të jetë një situatë ku thua: 'Është Vinicius Junior, në rregull', ose fillon të mendosh: 'Edhe unë dua të jem në këtë nivel page'”.
"Nëse ai bashkohet me Arsenalin, do ta trembë shumicën e Ligës Premier. Por mendoj se mund të shkaktojë më shumë dëm sesa përfitim për klubin”, përfundoi ai./Telegrafi/












































