Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka kërkuar falje publikisht pasi propozoi që një pjesë e të drejtave të Kupës së Botës t'u shitej investitorëve privatë, një ide që shkaktoi reagime të forta brenda qeverisë së futbollit botëror.

Sipas raportimeve, gjatë një takimi të drejtuesve të FIFA-s në Marok, Infantino e pranoi se kishte bërë një gabim, duke theksuar se nuk kishte pasur qëllim të përjashtonte federatat anëtare nga vendimmarrja për çështje kaq të rëndësishme.


Në një letër dërguar 211 federatave anëtare të FIFA-s, e cila është parë nga BBC, thuhet se presidenti i FIFA-s "kërkoi falje sinqerisht" për mënyrën se si u paraqit propozimi dhe premtoi se gabime të tilla nuk do të përsëriten.

Në të njëjtën letër theksohet gjithashtu se drejtuesit e FIFA-s i kanë dhënë mbështetjen e tyre të plotë Infantinos.

Kjo lëvizje vjen në një moment delikat për zviceranin, i cili synon të sigurojë një mandat të katërt në krye të FIFA-s. Megjithatë, polemikat e fundit kanë ngritur pikëpyetje mbi mbështetjen që ai do të ketë në zgjedhjet e ardhshme.

Kandidatët për postin e presidentit të FIFA-s kanë afat deri më 18 nëntor për të paraqitur kandidaturën, ndërsa zgjedhjet do të mbahen gjatë Kongresit të FIFA-s në Marok, në mars të vitit 2027.

Për t'u zgjedhur president, një kandidat duhet të sigurojë të paktën 106 vota nga 211 federatat anëtare. /Telegrafi/

telegrafi sport app