Hakmarrja e Jude Bellingham: Nga kritikat te heroi i Anglisë në Kupën e Botës


Pak më pak se një vit më parë, Jude Bellingham ishte në qendër të kritikave të ashpra në Angli. Sot, ai është lideri i "Tre Luanëve" dhe njeriu që po i udhëheq drejt finales së parë të Kupës së Botës që nga triumfi historik i vitit 1966.
Pas fitores 2:0 ndaj Shqipërisë në Tiranë, në nëntor të vitit të kaluar, tabloidi britanik Daily Mail publikoi në faqen e parë titullin e bujshëm: "Lëreni Juden në shtëpi", duke i bërë thirrje përzgjedhësit Thomas Tuchel që të mos e përfshinte mesfushorin në Botërorin 2026.
Në atë kohë, Bellingham nuk po kalonte momentin më të mirë të formës dhe kritikat ishin të pamëshirshme. Gazeta e përshkroi atë si një lojtar "individualist", që "prish harmoninë e grupit", duke pretenduar se prania e tij mund të dëmtonte atmosferën në kombëtare.

Përgjigjja erdhi në fushë
Bellingham nuk u përgjigj me fjalë, por me paraqitje. Mesfushori i Real Madridit ka qenë vendimtar për Anglinë në këtë Kupë Bote, duke shënuar gola të rëndësishëm ndaj Meksikës dhe Norvegjisë. Me gjashtë gola të realizuar, ai është një nga protagonistët kryesorë të turneut.
Ai është bërë anglezi i parë që nga Gary Lineker që shënon gjashtë gola në një turne të madh ndërkombëtar, ndërsa është edhe lojtari më i ri që realizon në dy ndeshje eliminatore radhazi të Kupës së Botës që nga legjenda braziliane Pelé në vitin 1958.
Me të paktën një ndeshje tjetër përpara, Bellingham ka mundësinë të ngjitet edhe më lart në listën e golashënuesve më të mirë të Anglisë në një turne madhor.

Marrëdhënie e ndërlikuar me Tuchelin
Raportet mes Bellinghamit dhe Thomas Tuchelit nuk kanë qenë gjithmonë të qeta. Që nga emërimi i teknikut gjerman, ka pasur tensione mes tyre.
Një prej momenteve më të diskutuara ishte komenti i Tuchelit, i cili tha se "edhe nëna e tij mund ta konsideronte të neveritshme një pjesë të sjelljes së Bellinghamit në fushë", deklaratë që nuk u prit mirë nga lojtari dhe rrethi i tij.
Bellingham u la jashtë skuadrës në muajin tetor dhe pas ndeshjes ndaj Norvegjisë pati një tjetër përplasje verbale me përzgjedhësin. Megjithatë, ai ka vazhduar të fitojë besimin e tifozëve përmes paraqitjeve të tij në fushë.

Gjithmonë në qendër të vëmendjes
Që në fillim të karrierës së tij, Bellingham ka qenë një nga emrat më të përfolur në futbollin anglez.
Në dokumentarin e tij "Out Of The Floodlights", ai foli për presionin që e ka shoqëruar vazhdimisht.
"Ata gjithmonë kanë nevojë për dikë që të luajë rolin e të keqit... Duket se ai dikush do të jem unë".
Mbështetja nuk mungoi
Pavarësisht kritikave, shumë figura të njohura të futbollit anglez dolën në mbrojtje të tij.
Ish-sulmuesi i Aston Villës, Gabriel Agbonlahor, deklaroi: "Nëse një lojtar tjetër bën të njëjtën gjë, nuk bëhet lajm. Kur Jude gabon, kritikat shkojnë shumë larg. Lëreni djalin të qetë".
Edhe legjenda e Arsenalit dhe Anglisë, Ian Wright, ishte i ashpër ndaj mënyrës se si trajtohej mesfushori.
"Ata e urrejnë faktin që nuk mund t'ia shkatërrojnë karrierën siç kanë bërë me të tjerët. Bellingham po trajtohet ndryshe për arsye që shkojnë përtej futbollit".

Nga i kritikuar në simbol të Anglisë
Pavarësisht polemikave, Bellingham vazhdon të thyejë rekorde. Ai është shpallur Lojtari i Vitit në Angli për sezonin 2024/25, mban rekordin për më shumë paraqitje me kombëtaren angleze para moshës 21-vjeçare dhe është golashënuesi i dytë më i ri i Anglisë në historinë e Kupës së Botës.
Në këtë Botëror, pesë nga gjashtë golat e tij kanë qenë vendimtarë, duke barazuar rezultatin ose duke kaluar Anglinë në epërsi.
Ironia është se ata që një vit më parë kërkonin ta linin jashtë kombëtares, sot presin me padurim golin e tij të radhës.
Jude Bellingham u është përgjigjur të gjithë kritikëve në mënyrën më të mirë të mundshme – në fushën e lojës. Hakmarrja e tij është pothuajse e plotë. /Telegrafi/












































