Andy Robertson po largohet nga Liverpooli si një nga transferimet më të suksesshme dhe më të lira në historinë e Ligës Premier, por edhe si një prej lojtarëve më të dekoruar të klubit anglez.

Mbrojtësi skocez 32-vjeçar ka zhvilluar 377 paraqitje me fanellën e “The Reds” gjatë nëntë viteve në “Anfield”, duke fituar Ligën e Kampionëve, dy tituj të Ligës Premier dhe shumë trofe të tjerë, që prej transferimit të tij nga Hull City për vetëm rreth 8 milionë euro në vitin 2017.


Në intervistën e tij të fundit para lamtumirës ndaj Brentfordit këtë të diel, Robertson foli hapur për momentet më të rëndësishme të karrierës së tij te Liverpooli. Ai e cilësoi triumfin në Ligën e Kampionëve në vitin 2019 si kulmin e aventurës së tij.

“Ajo ditë, ajo natë dhe më pas parada të nesërmen… ta përjetosh gjithçka me shokët e tu më të mirë. Ishin 24 deri në 48 orët më të bukura të jetës sime – përveç lindjes së fëmijëve dhe martesës, duhet ta them edhe këtë”, deklaroi Robertson.

Ai veçoi edhe fitoren 5-1 ndaj Tottenham Hotspur sezonin e kaluar, ndeshje që vulosi titullin kampion, si një moment tejet emocional, sidomos pasi tifozët munguan gjatë festimeve të titullit në vitin 2020 për shkak të pandemisë.

Robertson foli edhe për periudhën e vështirë që skuadra kaloi pas humbjes së bashkëlojtarit Diogo Jota, duke pranuar se skuadra kishte humbur përkohësisht fokusin te futbolli.

“Ajo që kaluam gjatë verës… asnjë skuadër nuk do ta përjetojë ndonjëherë. Për javë të tëra nuk na interesonte futbolli. Askush nuk donte të stërvitej”, u shpreh ai.

Pavarësisht një sezoni jo të qëndrueshëm, skocezi mbetet optimist për të ardhmen e Liverpoolit.

“Liverpooli ka më shumë se mjaftueshëm cilësi në atë dhomë zhveshjeje për të fituar sërish trofe”, shtoi Robertson.

Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, Robertson ka arritur marrëveshje paraprake për t’iu bashkuar Tottenham Hotspur si lojtar i lirë këtë verë, megjithëse transferimi varet nga mbijetesa e klubit londinez në Ligën Premier.

Para kësaj aventure të re, ai pritet të luajë edhe Kupën e parë të Botës me Kombëtaren e Skocisë, që rikthehet në turneun më të madh të futbollit pas vitit 1998. /Telegrafi/

telegrafi sport app