LAJMI I FUNDIT:

Formacioni më i mirë i stinorit vjeshtor në BKT Superligën e Kosovës

Formacioni më i mirë i stinorit vjeshtor në BKT Superligën e Kosovës

BKT Superliga ka mbyllur stinorin vjeshtor javën që lamë pas, ku për 18 xhiro pamë shumë ndeshje të mira.

Në 90 ndeshje të zhvilluara u shënuan 191 gola, apo 2.12 gola për ndeshje.


Gjilani e mbylli në vendin e parë me 35 pikë, një më shumë se Drita që ishte e dyta me 34 pikë.

Vendi i tretë u rezervua për Ballkanin që ka 33 pikë, ndërsa lartë në luftë ka mbetur edhe Llapi me 29 pikë. Prishtina ka dëshpëruar me 24 pikë, ndërsa Drenica ka 23.

Të rrezikuara mbetet Malisheva (19), Dukagjini (18), Ulpiana (18) dhe Feronikeli (11).

Telegrafi ka raportuar për çdo ndeshje të zhvilluar në çdo xhiro të Superligës, ku pas tyre pasonte edhe formacioni javor.

Pas mbylljes së edicionit vjeshtor, duke parë paraqitjen e lojtarëve, redaksia e sportit të  Telegrafit ka zgjedhur më të mirët për gjashtë muajt e parë, duke i renditur në formacionin 4-1-4-1.


Enea Koliçi – Portieri ka qenë sfida më e madhe për formacionin e stinorit vjeshtor, por Enea Koliçi i Gjilanit ka qenë për një nuancë më i mirë se sa dy rivalët e tij, Faton Maloku dhe Stivi Frashëri.

Koliçi është i vetmi nga të tre që ka ruajtur portën në të 18 ndeshjet e Superligës së Kosovës, ku në 7 prej tyre mbajti portën e paprekur.

Pritjet e tij ishin shpesh ishin vendimtare që Gjilani të siguronte pikë dhe të shpallej kampion vjeshtor.


Besnik Krasniqi – Mbrojtësi i djathtë ishte e vetmja pikë që ndriti te Prishtina këtë sezon.

Ai shënoi 7 herë në vjeshtë, duke e mbajtur kampionin aktual në luftë për kreun.

Krasniqi luajti në 16 ndeshje, duke munguar vetëm në ndeshjen e parë dhe të fundit.


Ardian Limani – Disa ndeshje në qendër e disa në të djathtë të mbrojtjes, por ku luan bën më të mirën.

Njëri prej më të dalluarve te Drita, ku zhvilloi 17 takime dhe asistoi dy herë, ndërsa shumë shpesh ishte në formacionin e javës.

Drita kishte mbrojtjen më të mirë këtë sezon me 11 gola të pranuar.


Armend Halili – Majtaku i Gjilan zhvilloi sezonin më të mirë në karrierën e tij.

Ai zhvilloi 16 ndeshje këtë sezon, ku përveç detyrave mbrojtëse që i kreu me përpikëri, ai u gjend edhe në fazën e sulmit, duke shënuar një gol dhe duke asistuar dy herë.

Halili, tani 24 vjeç, ka qenë lojtari më standard në mbrojtjen e Gjilanit që pranoi vetëm 13 gola në vjeshtë.


Ilir Blakçori – Nëse në krahun e djathtë e kemi mbrojtësin që shënon, në të majtin është ai që asiston.

Ilir Blakçori kishte një sezon shumë të mirë me Dritën, ku përveç se shënoi 1 gol, ai asistoi edhe pesë herë. Luajti 17 ndeshje gjithsej, apo 1530 minuta në BKT Superligë.

Ai fitoi konkurrencën me Yll Hoxhën dhe Astrit Thaqin, që po ashtu kishin sezon të mirë.


Albert Dabiqaj – Mesfushori më i mirë në stinorin vjeshtor. Dabiqaj ishte shumë i saktë në punën  e tij, duke rikuperuar shumë topa, por edhe në sulm kreun punë.

Gjatë vjeshtë ai shënoi 4 gola dhe asistoi një herë, duke dominuar në çdo fushë ku shkeli.

Gjilani e kishte vetëm një humbje dhe në atë ndeshje Dabiqaj nuk ishte në fushë, duke treguar rëndësinë e tij në këtë sezon. Në total zhvilloi 16 ndeshje.


Ermal Krasniqi – Pa dyshim më i mirë te Ballkani në stinorin vjeshtor, ku në shumë ndeshje shkëlqeu me lëvizjet e tij.

Ai shënoi 7 gola dhe kishte një asistim, për ta ndihmuar Ballkanin që ta mbyllte në pozitën e tretë.

Shumë shpesh në formacionin më të mirë të javës, Krasniqi po tregon se tashmë është pjekur si futbollist në Superligë.


Kreshnik Uka – Kjo është kampionati më i mirë që po e zhvillon sulmuesi i Drenicës.

Ai ka arritur të shënojë 10 gola dhe ka asistuar një herë për shokët dhe atë në vetëm 13 takime të zhvilluara.

Nëse Drenica ka 23 pikë, atëherë janë meritë më e madhe e Ukës.


Gerhard Progni – Për ne ishte më i miri i stinorit vjeshtor, duke shënuar hiq më pak se 12 gola.

I gjendur më së shpeshti në formacionin e javës, Progni ishte vendimtarë në pothuajse çdo ndeshje.

Goli i tij i fundit i dha Gjilanit fitoren ndaj Ballkanit dhe vendin e parë në renditje.

Edhe pse 35 vjeç, ai ka zhvilluar të 18 ndeshjet në stinorin vjeshtor.


Valmir Veliu – Anësori i Kosovës U21 është kthyer në lojtarin më të rëndësishëm të Llapit.

Ai ishte vendimtar në rikthimin e Llapit në pjesën e dytë të sezon, duke shënuar 5 gola dhe duke dhënë 5 asistime.

Luajti 15 ndeshje dhe në ato tri ndeshje ku mungoi, Llapi nuk e fitoi asnjërin.


Darko Simonovski – ‘Pyka’ më e mirë në stinorin vjeshtor. Ai arriti të shënojë 6 gola të gjitha nga loja.

Simonovski vuajti në fillim nga një lëndim ku humbi disa ndeshje, pasi në total ka zhvilluar 13 në BKT Superligë këtë sezon.

Golat e tij i kanë dhënë pikë të rëndësishme Dritës, që arriti të ngjitet si e dyta.


Ismet Munishi – Trajneri më i mirë i stinori vjeshtor, është ai që e mbylli në krye.

Munishi ka krijuar një skuadër të fortë, që di të luajë edhe fizikisht, por edhe teknikisht kur ka nevojë.

Ai ka marr 9 fitore, 8 barazime dhe ka pësuar një humbje.

Ka fituar ndaj Rivalëve direkt si Drita (dy herë) dhe Ballkani (një herë), ndërsa nuk ka pësuar nga asnjëri përfishirë edhe Llapin dhe Prishtinën.


Formacioni i stinorit vjeshtor


Sondazh



/Telegrafi/