LAJMI I FUNDIT:

Formacioni më i mirë në BKT Superligë për javën e 18-të

Formacioni më i mirë në BKT Superligë për javën e 18-të

BKT Superliga ka mbyllur perden për stinorin vjeshtor, me ndeshje shumë interesante dhe rezultatet befasuese.

Gjilani ka mposhtur Ballkanin si mysafir me rezultat 1-0, duke u shpallur kampion vjeshtor.


Llapi ka fituar derbin ndaj Prishtinës me rezultat 3-2, ndërsa Drenica ka fituar ndaj Feronikelit me rezultat 2-0.

Drita ka triumfuar përballë Ulpianës me rezultat 3-1, ndërsa Malisheva dhe Dukagjini kanë luajtur baras 2-2.

Redaksia e Sportit të Telegrafit ka zgjedhur më të mirët e javës së fundit.

Portieri

Pa dyshim që në portë është Enea Koliqi që bëri një ndeshje shumë të mirë në Suharekë. Ai priti shumë raste dhe ishte prej më meritorëve që morën tre pikë.

Mbrojtja

Të dy krahët e mbrojtjes janë futbollistë të Gjilanit. Tomislav Sorsa dhe Yll Hoxha luan një ndeshje shumë të mirë, duke çmontuar krahët sulmues të Ballkanit.

Në qendër është Ardian Cuculi i cili ishte prej më të mirëve te Drita. Me të është Dren Kryeziu i cili shënoi gol për Malishevën në barazimin me Dukagjinin.

Mesfusha

Kushtrim Shabani i Llapit ishte prej më të mirëve ndaj Prishtinës, duke realizuar gol në momentet e fundit, që dhuruan tri pikë.

Me të në krahë është Ergyn Ahmeti, i cili shënon një super gol ndaj Malishevës dhe ishte prej më të mirëve të Dukagjinit në fushë.

Me i avancuar është Rivera i Llapit i cili shënoi dhe krijoi shumë kundër Prishtinës.

Sulmi

Gerhard Progni është në krahun e majtë, pasi shënoi golin e fitores në Suharekë dhe vendosi pozitën e parë për skuadrën.

Në krahun tjetër është Arbnor Muja që gjeti golin ndaj Ulpianës dhe në fund gjeti edhe formën e tij.

Në qendër është Kreshnik Uka që kthehet te goli, ndërsa Drenica merr tri pikë pas një kohe.

Trajneri

Ismet Munishi pa dyshim. Fitoi në Suharekë, gjë që nuk e kishte bërë askush në këtë sezon. Skuadra u vendos mirë, priti momentin dhe mori tri pikë.

Me këto tri pikë Gjilani i tij që nuk e nisi shumë mirë do të dimërojë në vendin e parë.

Formacioni i javës

/Telegrafi/