LAJMI I FUNDIT:

Florent Boshnjaku: Këngën “Suus” e krijova me duar të lira

Florent Boshnjaku: Këngën “Suus” e krijova me duar të lira

Nëse përmendet Suus, atëherë patjetër që të bie në mend se krijimin e kësaj magjie e ka realizuar kompozitori kosovar Florent Boshnjaku.

Ky kompozitor që njihet për punën e tij të madhe në muzikë, së fundi është angazhuar edhe në shfaqje teatrale, i cili ka realizuar muzikën për dy shfaqje të fundit, një në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe një në teatrin “Dodona”. Ai në një intervistë për KultPlus ka treguar për ndjesinë e mirë që i ka dhënë puna me teatër, dhe sipas tij, pikërisht kjo përvojë e ka bërë të mendojë që të angazhohet edhe në të ardhmen në shfaqje. Boshnjaku në mes të tjerash ka folur edhe për bashkëpunimin e tij me artistë, i cili ka shtuar se mbi të gjitha punon me ata artistë që muzikën fillimisht e kanë pasion.

KultPlus: “Përtej kufinjëve të pushtetit”, ishte një ndër shfaqjet e repertorit të TKK-së, muzika e së cilës është kompozuar nga ju, si erdhi deri te dëshira për të punuar edhe në shfaqje, duke pas parasysh se nuk ju kemi parë më herët në projekte të tilla?
Florent Boshnjaku: Ishte eksperiencw e mrekullueshme me regjisorin Esat Brajshori, si dhe gjithë kastën e aktorëve. Personalisht kam eksperiencë në teatër për fëmijë dhe në disa radio drama ku kam punuar muzikën (para luftës), por kjo ishte hera e parë që isha pjesë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
KultPlus: Mendoni të punoni më seriozisht në teatër apo ka qenë një bashkëpunim i momentit?
Florent Mehmeti: Po mendoj që do të vazhdoj, poashtu po atë javë kam punuar muzikën edhe për një shfaqje tjetër, pra bëhet fjalë për shfaqjen ‘Të jetosh në ishull’, me regji të profesoreshës Arbnesha Grabovci Nixha, ku ishte një shfaqje me një temë mjaft intriguese, dhe poashtu aty ishte një eksperiencë tjetër e bukur që më bëri të mendoj për vazhdimin e angazhimit tim në teatër. Normalisht në dy shfaqjet, kritikat ishin mjaftë pozitive për muzikën e krijuar dhe me dha një vullnet që të merrem me shumë edhe në këtë fushë.


KultPlus: Megjithatë, tregu i muzikës në Kosovë dhe më gjerë tashmë ka marrë një format tjetër dhe për kompozitorët që duan të qëndrojnë në kritere, duket të jetë e vështirë kjo kohë, si jeni duke notuar në këtë kaos?
Florent Boshnjaku: Për fat të mirë, në shumicën e rasteve kam bashkëpunuar me artistë të vërtetë ose më mirë të them me artistë të cilët muzikën fillimisht e kanë pasion pastaj diçka tjetër, kështu që kriteri ka qenë i përbashkët, sa më shumë muzikë origjinale dhe të bukur, që edhe publikut i pëlqen, por që si vepër edhe mbetet e shijohet e dëgjohet edhe pas shumë e shumë viteve. Me siguri në këtë aspekt kam qenë me fat. Por që në hapësirën tonë ka momente kur edhe duhesh të bësh kompromise deri në pikën që unë mendoj që e vlen. Këto momente janë shumë të rralla.

KultPlus: Por, nuk mund të thuhet se nuk ka prurje artistike, por jo me famën dhe ndikimin që po kanë këngëtarët komercialë, si e vlerësoni këtë miks të realizimeve?
Florent Boshnjaku: Nëse flasim për muzikë e cila është në trend, ka sa të duash, pjesë e madhe e publikut i pëlqen dhe i konsumon, por që për fat jo të mirë, kemi shumë artistë të cilët meritojnë një vëmendje shumë më të madhe si të publikut poashtu edhe mediumeve e të cilët janë ’ngulfatur’ nga hiper produksioni i këngëve komerciale. Gjithkund në botë ekziston kjo formë, por që hapësira për artistë të cilët muzikën e kanë gjithçka është e rezervuar për pjesën e publikut e cila i shijon këto këngë, poashtu institucionet (nuk është fjala vetëm për Qeverinë këtu) që kanë mundësi dhe obligim me i kriju dhe përkrahë artistët e mirëfilltë. Për fat të keq, ne ende jemi larg kësaj situate ku kemi mundësi jo vetëm me i përkrahë por edhe me i kriju apo me e bindë gjeneratën e re që e vlen me u marrë me diçka të bukur.

KultPlus: Është diskutuar shumë herë për kompozimin e famshëm “Suus”, por mostejkalimi i kësaj kënge na bën të ndalemi sërish te kjo vepër, pasi të rralla janë kompozimet e këtij formati që qëndrojnë kaq gjatë në kohë, thjeshtë si ndjeheni?
Florent Boshnjaku: Kënga Suus është këngë e cila është punuar me shumë përkushtim dhe sinqeritet si krijim, si një pjesë dërmuese e këngëve të cilat i punoj. Mendoj që kjo e pozicionon këtë këngë në start në një kategori tjetër. Shumë këngë, apo më mirë të them kërkesa për realizim të këngëve të tilla nuk vjen me idenë të krijohen me ‘duar të lira’, sepse unë në shumicën e rasteve krijoj sipas kërkesës së interpretëve. Zakonisht kur unë jam më i lirë në krijimin e një vepre, atëherë vërehet që aty nuk ka kompromise në njërin apo tjetrin aspekt muzikor. Kjo është arsyeja që unë mendoj që e karakterizon këngën Suus. Poashtu kjo këngë ishte komplet jashtë trendit momental, por është stil muzikor i cili gjithmonë në fakt ka masë të madhe të publikut.

KultPlus: Dhe pos “Suus”, është edhe kënga “Nuk mundem”, që është kënduar nga Nora Istrefi, por që e njëjta është kërkuar të këndohet edhe nga këngëtarja turke Sila, sa jeni duke e synuar tregun e jashtëm?
Florent Boshnjaku: Për fat të mirë, në kohët që ne ekzistojmë, pra në kohën e internetit gjithçka mundë të ndodhë. Ky rast tregon që një punë e mirë dhe e bukur tani mund të dëgjohet kudo në botë. Për mua ka qenë një kënaqësi dhe privilegj që një këngëtare si Sila e cila ishte njëra ndër emrat më të mëdhenj në Turqi, të kërkon të interpreton dhe ta publikon këngën time si këngën e cila i ka parapri albumit te saj. Deri më tani me gjitha informatat që i kam nga shtëpia muzikore ‘Sony Music Turkey’, kënga është pëlqyer mjaft. Poashtu kam kërkesa për punë tjera dhe këngëtarë tjerë në Turqi, ku mendoj të vazhdoj bashkëpunimin.

KultPlus: Dhe krejt për fund, ka ndonjë projekt të ri që mund të kthejmë sytë nga “Dream House Studio”?
Florent Boshnjaku: ‘Dream House Studio’ nuk ndalet , ka shumë projekte të cilat krijohen ose finalizohen në studio. Koha dhe krijimtaria vjen edhe me një përgjegjësi për krijime sa më të bukura në vazhdim, kështu që unë mundohem me sjellë sa më shumë punë të bukura për publikun, kudo qoftë ai./KultPlus.com