Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, se Ukraina nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj lidhur me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Zelenskyy e bëri deklaratën gjatë qëndrimit të tij në Serbi, duke riafirmuar se Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.


Përmes një postimi në platformën “X”, Konjufca tha se Kosova e ka mbështetur Ukrainën që nga dita e parë e agresionit rus, pavarësisht faktit se Kievi nuk e njeh pavarësinë e saj.

“Marrim me keqardhje në konsideratë deklaratat e Presidentit Zelenskyy në Beograd, ku riafirmoi mosnjohjen nga Ukraina të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Konjufca.

Ai ka përmendur një sërë masash të ndërmarra nga Kosova në mbështetje të Ukrainës, përfshirë dënimin e pushtimit rus, përafrimin me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, si dhe ofrimin e ndihmës humanitare dhe strehimit për gazetarë ukrainas.

Konjufca ka thënë se Kosova ka kontribuar edhe me ndihmë dhe trajnime ushtarake në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës.

“Ne e bëmë këtë pavarësisht mosnjohjes së shtetit tonë nga Ukraina, sepse solidariteti me një popull që mbron lirinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të tij është çështje parimi”, ka deklaruar ai.

Kreu i diplomacisë kosovare në detyrë i ka rikujtuar Zelenskyt edhe historinë e Kosovës, duke theksuar se vendi është shtet sovran dhe i pavarur dhe se liria e tij është arritur pas luftës së vitit 1999.

“Republika e Kosovës është një shtet sovran dhe i pavarur, i lindur nga lufta e popullit të saj për liri dhe nga çlirimi i tij në vitin 1999, pas viteve të represionit sistematik dhe fushatës gjenocidale të regjimit të Millosheviçit”, ka shkruar Konjufca.

Sipas tij, zhvillimet pas luftës nuk përbënin “akt aneksimi, pushtimi apo pushtimi territorial”, por një proces ndërkombëtar nën administrimin e Kombeve të Bashkuara dhe vite negociatash të ndërmjetësuara ndërkombëtarisht për statusin e Kosovës.

Konjufca ka përmendur edhe procesin e udhëhequr nga i Dërguari i Posaçëm i OKB-së, Martti Ahtisaari, i cili, sipas tij, pas shterimit të mundësive për një zgjidhje të pranueshme nga të dyja palët, rekomandoi pavarësinë si status final të Kosovës dhe propozoi një kornizë gjithëpërfshirëse për shtetin e ri.

Reagimi i Konjufcës vjen pas deklaratave të Zelenskyt në Beograd, ku presidenti ukrainas përsëriti qëndrimin e Kievit për mosnjohjen e Kosovës./Telegrafi.