Ish-kryeministri dhe deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se të gjeturat e një hulumtimi të Institutit Demokratik Kombëtar (NDI), të realizuar në maj të vitit 2026, dëshmojnë, sipas tij, dështimet e LVV-së gjatë gjashtë vjetëve në krye të institucioneve të vendit.

Hoti ka thënë se premtimet e LVV-së për drejtësi sociale, luftim të korrupsionit, shëndetësi dhe arsim cilësor, si dhe punësim e të ardhura të sigurta, kanë rezultuar, sipas tij, të jenë “mashtrime elektorale”.


“Gjetjet kryesore nga hulumtimi i NDI-së, i realizuar në maj 2026, tregojnë mashtrimet dhe dështimet e LVV-së në krye të institucioneve të vendit për 6 vite”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, qeveria e udhëhequr nga LVV-ja është ndër qeveritë me mandatin më të gjatë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Hoti ka publikuar disa prej gjetjeve kryesore të hulumtimit të NDI-së, duke i lidhur ato me gjendjen sociale dhe ekonomike në vend.

Një nga të dhënat e përmendura nga Hoti është se 44 për qind e të rinjve të moshës 18 deri në 24 vjeç kanë deklaruar se mendojnë të largohen krejtësisht nga Kosova.

Sipas Hotit, kjo shifër tregon pakënaqësinë e të rinjve me perspektivën që ofron vendi.

Ndërkohë, sipas të gjeturave të hulumtimit që ai ka publikuar, problemi më i madh në Kosovë është kostoja e jetesës, e cila lidhet me çmimet e larta të mallrave të konsumit dhe çmimin e energjisë elektrike.

Hoti ka veçuar edhe tri vështirësitë kryesore me të cilat, sipas hulumtimit, përballen familjet në Kosovë.

Ato janë faturat e shërbimeve publike, përfshirë energjinë elektrike, ujin dhe mbeturinat, shpenzimet për ushqimet e përditshme dhe kujdesi shëndetësor.

Në aspektin e demokracisë, sipas të dhënave të publikuara nga Hoti, tri rreziqet kryesore konsiderohen korrupsioni, pabarazia ekonomike dhe mungesa e llogaridhënies së politikanëve.

Ndërkaq, si politika më të nevojshme për Kosovën janë renditur sigurimet shëndetësore, përmirësimi i cilësisë së shërbimeve shëndetësore, të drejtat e punëtorëve në sektorin privat dhe cilësia e arsimit.

Duke i publikuar këto të dhëna, Hoti ka argumentuar se ato pasqyrojnë një realitet të kundërt me premtimet mbi të cilat, sipas tij, LVV-ja ka ndërtuar mbështetjen elektorale./Telegrafi/