Junior Firpo është duke menduar largimin nga Barcelona gjatë afatit kalimtar të janarit.

Mbrojtësi i majtë spanjoll nuk ka pasur hapësira as këtë edicion tek katalunasit dhe dëshiron largimin.

24-vjeçari ka luajtur në vetëm 10 takime këtë edicion, ku kryesisht ka qenë i inkuadruar nga banka rezervë.

Mediat spanjolle kanë raportuar se lojtari ka tri opsione për tu larguar nga Barcelona.

Skuadra më e interesuar për shërbimet e tij mbetet ajo londineze West Ham United që e kërkoi edhe në verë.

Ndërkohë në garë për lojtarin mbeten edhe dy gjigantët italianë Roma dhe Napoli, por që nuk janë të gatshme të shpenzojnë menjëherë pasi duan huazim lojtarin me të drejtë blerje.

Barcelona është duke synuar të gjejë një blerës për lojtarin pasi qëllimi është të fitojë rreth 20 milionë euro nga shitja e tij.

Gjithsesi duket Firpo është më afër West Hamit dhe ajo që është e sigurt për momentin është vetëm largimi i tij nga Barcelona gjatë afatit kalimtar dimëror. /Telegrafi/