FBK i njofton klubet për regjistrimin dhe për afatin kalimtar

Federata e Basketbollit të Kosovës i ka njoftuar klubet në lidhje me afatin kalimtar për edicionin e ri që do të jetë nga 27 gushti deri më 7 shtator.
“Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) njofton të gjitha klubet se afati kalimtar për të gjithë basketbollistët/basketbollistet e të gjitha kategorive (vendorë dhe të huaj) do të fillojë më 27.08.2018 dhe do të përfundojë më 07.09.2018 në ora 17:00”, thuhet në njoftimin e FBK-së.
Njëherësh, FBK ka bërë një njoftim në lidhje me regjistrimin e klubeve për edicionin 2018/2019.
Në njoftimin e publikuar në faqen e federatës në internet thuhet se regjistrimi është obligativ për të gjitha klubet.
“Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) njofton të gjitha klubet e saj se regjistrimi ka filluar më 20.07.2018 dhe do të përfundoj më 10.08.2018”.
“Regjistrimi i klubeve është obligativ për të gjitha klubet e Superligës së Kosovës, Ligës së Femrave, Ligës së Parë, Ligës së Dytë për edicionin 2018/2019”, thuhet në njoftimin e FBK-së.
Kujtojmë se kampion i Superligës së Kosovës në basketboll në sezonin e kaluar u shpall Sigal Prishtina. /Telegrafi/





















































