Fabrika e talenteve nga Evropa Veriore ka një hit të ri – historia e pabesueshme e Siriusit që po trondit Suedinë

Futbolli suedez ka një sensacion të ri. Pas historisë së jashtëzakonshme të Mjallbyt, klubit nga një fshat peshkatarësh që sezonin e kaluar fitoi titullin e parë në histori, tashmë në qendër të vëmendjes është një tjetër skuadër që po shkruan një kapitull të veçantë.
Bëhet fjalë për IK Sirius nga Uppsala, që pas 14 xhirove të para të Allsvenskanit nuk njeh humbje dhe po udhëheq bindshëm garën për titullin e parë kampion në historinë e klubit.
Sirius ka regjistruar 12 fitore dhe dy barazime, me një diferencë fantastike golash prej 40:17. Skuadra ka grumbulluar 38 pikë nga 42 të mundshme dhe ndodhet 11 pikë përpara ndjekësit më të afërt, Hammarbyt, duke pasur edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.
Forca kryesore e ekipit është sulmi. Dyshja Robbie Ure dhe Isak Bjerkebo kanë qenë vendimtare, duke shënuar së bashku 25 nga 40 golat e Siriusit këtë sezon. Ure ka realizuar 15 gola, ndërsa Bjerkebo 10 gola dhe tetë asistime.

Nga lufta për mbijetesë te kandidati për titull
Ajo që e bën këtë histori edhe më të veçantë është se vetëm një vit më parë askush nuk e imagjinonte këtë skenar.
Sirius kishte grumbulluar vetëm 13 pikë pas 17 ndeshjeve të sezonit të kaluar dhe ishte në luftë për mbijetesë. Trajneri Andreas Engelmark ishte nën presion, por klubi vendosi të mos e shkarkonte dhe vazhdoi t’i besonte projektit afatgjatë.
"Klubi kishte një strategji afatgjatë dhe vendosi të më mbante", kishte deklaruar Engelmark.
Ky vendim po rezulton i artë. Sirius ruajti bazën e skuadrës, vazhdoi zhvillimin e lojtarëve dhe hyri në sezonin e ri me një identitet të qartë loje.
Sipas analizave të Football Meets Data, pas vetëm 14 xhirove Sirius ka kaluar tashmë mesataren e pikëve që kishte arritur në nëntë sezonet e fundit (36.8 pikë). Modeli i tyre i jep 79 për qind mundësi për të fituar titullin, ndërsa Hammarby, Djurgården, AIK dhe Malmö kanë përqindje dukshëm më të ulëta.
🇸🇪 Sirius are absolutely crushing it, with a 12-2-0 record since the start of the season‼️
📈 11 points advantage, and a game in hand over 🇸🇪 Hammarby.
It seems we're on the road for another surprising 🇸🇪champion, for the second year in a row!
🏆 To win Allsvenskan:
79% 🇸🇪… pic.twitter.com/SiQMwZkkDa
— Football Meets Data (@fmeetsdata) July 26, 2026
Trajneri që ndihmoi në zhvillimin e Kulusevskit dhe Gyökeresit
Një nga arsyet kryesore të suksesit është trajneri Andreas Engelmark. Ai mori drejtimin e Siriusit para sezonit 2025, pas 12 vitesh punë në role të ndryshme te Brommapojkarna, një klub i njohur për akademinë e tij të jashtëzakonshme në Skandinavi.
Gjatë kësaj periudhe ai ishte pjesë e zhvillimit të talenteve si Dejan Kulusevski dhe Viktor Gyökeres, dy prej yjeve më të mëdhenj të futbollit evropian.
Engelmark ka kontratë me Siriusin deri në fund të vitit 2027 dhe filozofia e tij është e ndërtuar mbi zhvillimin e lojtarëve të rinj dhe krijimin e një grupi të bashkuar.

Nuk është vetëm një seri fitoresh
Suksesi i Siriusit nuk është ndërtuar vetëm ndaj ekipeve të dobëta. Skuadra ka mposhtur disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit suedez.
Ata kanë fituar ndaj Hammarbyt (2:0), Malmö-s (3:2 në udhëtim), Djurgårdenit (3:2), AIK-ut (3:0), Elfsborgut (3:1) dhe IFK Göteborgut (4:1).
Sirius ka treguar se mund të fitojë në mënyra të ndryshme: duke kontrolluar lojën, duke sulmuar hapur apo duke pritur momentin e duhur për goditjen finale.
Ure dhe Bjerkebo, dy yjet e rinj
Sulmuesi skocez Robbie Ure është një nga zbulimet më të mëdha të kampionatit. 22-vjeçari ka dalë nga akademia e Rangersit dhe më pas ka luajtur te Anderlechti. Sirius e transferoi në vitin 2025 dhe i ofroi kontratë deri në vitin 2029.
Me gjatësi prej 189 centimetrash, Ure është i fuqishëm në duele, por gjithashtu di të mbajë topin, të lidhë lojën dhe të krijojë hapësira për bashkëlojtarët.
Bjerkebo, ndërkohë, erdhi nga Varbergs BoIS dhe ka shpërthyer këtë sezon me paraqitjet e tij. Ai është produkt i akademisë së Malmos dhe Sirius e pa potencialin e tij për të luajtur në disa role në sulm.

Formula e suksesit, zhvillimi dhe shitja e talenteve
Sirius ka ndërtuar një model të qartë. Klubi nuk mund të konkurrojë financiarisht me gjigantët Malmo, AIK, Djurgården apo Hammarby, por ka gjetur një mënyrë tjetër.
Strategjia është të zbulojë lojtarë të rinj, t’i zhvillojë, t’i lidhë me kontrata afatgjata dhe më pas t’i shesë në tregun evropian.
"Ne nuk sjellim lojtarë me ego të mëdha, por futbollistë që përshtaten me grupin dhe luajnë për ekipin", ka thënë mesfushori Marcus Lindberg.
Kjo filozofi ka krijuar një atmosferë të veçantë në dhomën e zhveshjes dhe ka qenë një nga faktorët kryesorë të suksesit.
Një shembull i vëzhgimit të saktë është Mohamed Soumah. Portieri 22-vjeçar i Guinesë mbërriti në fillim të vitit 2026 nga skuadra e dytë e Gentit, ku ishte kapiten dhe luajti 70 ndeshje në ligë.
Ai luajti për Guinenën në Lojërat Olimpike dhe Sirius e lidhi me një kontratë deri në verën e vitit 2030. Ai u bë shpejt i rëndësishëm në mbrojtje, por edhe i rrezikshëm në zonën e penalltisë së kundërshtarit.

A mund ta mbajnë ëndrrën gjallë?
Sfida më e madhe për Siriusin mund të mos jetë në fushë, por jashtë saj. Performancat e Ures dhe Bjerkebos kanë tërhequr interes nga klubet evropiane dhe një largim i tyre mund të ndryshojë ekuilibrat në garën për titull.
Megjithatë, nëse klubi arrin t’i mbajë yjet e tij deri në fund të sezonit, Uppsala mund të përjetojë momentin më të madh në historinë e klubit.
Mjällby tregoi vitin e kaluar se titujt nuk fitohen gjithmonë nga klubet me buxhetet më të mëdha. Sirius tani po përpiqet të dëshmojë të njëjtën gjë.
Pas 119 vitesh histori, një klub që dikur luftonte për mbijetesë tani ëndërron titullin e parë kampion të Suedisë. /Telegrafi/
















































