Është publikuar lista e filmave më të mirë të gjysmës së parë të vitit 2026


Associated Press (AP) ka publikuar përzgjedhjen e filmave më të mirë të gjysmës së parë të vitit 2026, një listë që përfshin projekte të mëdha hollivudiane, filma të pavarur dhe disa surpriza nga regjisorë me stil autorial.
Sipas AP-së, gjashtëmujori i parë i këtij viti u karakterizua nga të ardhura të larta në arkat e kinemave, rikthimi i publikut të gjeneratës Z në sallat e filmit dhe rezultate të ndryshme për disa prej ekskluziviteteve më të mëdha të industrisë. Ndërsa "Star Wars: The Mandalorian and Grogu" nuk arriti pritshmëritë, "Toy Story 5" pati sukses të madh dhe fitoi lehtësisht zemrat e publikut.
Kritikët e filmit të AP-së, Jake Coyle dhe Lindsey Bahr, përzgjodhën një grup të larmishëm produksionesh që kanë spikatur gjatë këtij viti.
Mes tyre është edhe "Disclosure Day", filmi i ri i Steven Spielberg, të cilin Coyle e përshkruan si një vepër me ngjyrim politik që trajton besimin te njerëzimi.
Në listë bën pjesë edhe "Project Hail Mary", adaptimi i romanit të Andy Weir, ku Ryan Gosling interpreton një mësues të shkencave natyrore që përpiqet të shpëtojë Diellin nga shuarja.
Një tjetër film i vlerësuar është "Rose of Nevada" i regjisorit Mark Jenkin, që rrëfen historinë e dy anëtarëve të ekuipazhit të një anijeje peshkimi, të cilët pas kthimit zbulohen se kanë udhëtuar 30 vite pas në kohë.
Në përzgjedhje është përfshirë edhe trileri "Tuner" nga Daniel Roher, që ndjek historinë e një pianisti i cili humbet aftësinë për të luajtur, por falë dëgjimit të jashtëzakonshëm përfshihet në botën e krimit.
Kritikët kanë veçuar gjithashtu edhe filmin "Miroirs No. 3" të Christian Petzold, që trajton historinë e një gruaje e cila, pas një aksidenti automobilistik, gjen strehim dhe nis procesin e rikuperimit në shtëpinë e një gruaje të moshuar.
Lista përfshin edhe dramën "The Invite" të Olivia Wilde, e cila eksploron tensionet martesore dhe seksuale gjatë një darke mes fqinjësh, si dhe filmin debutues "Blue Heron" të Sophy Romvari, një komedi e pavarur me elemente të udhëtimit në kohë, e vendosur në Toronto.
- YouTube youtu.be
Në mesin e filmave të përzgjedhur janë edhe animacioni "Minions & Monsters", filmi "Is God Is" i Aleshea Harris, që rrëfen historinë e dy motrave binjake në kërkim të hakmarrjes ndaj babait të tyre të dhunshëm, tragjikomedia "A Poet" e regjisorit kolumbian Simón Mesa Soto, si dhe animacioni i Pixar, "Hoppers", që ndjek historinë e një aktivisteje të re të mjedisit e cila përpiqet të ndalojë ndërtimin e një mbikalimi në një zonë pyjore. /Telegrafi/


















































