Edhe Eliot Engel, miku i madh Amerikan i Shqiptarëve në Kosovë dhe kongresmen në SHBA, iu bashkua listës së zyrtarëve të lartë shtetëror të SHBA-ve në përkrahje të termocentralit të ri, Kosova e Re.

‘Ne nuk kemi përfunduar përpjekjet tona. SHBA-të do të punojnë me Kosovën në procesin e bërjes së ushtrisë dhe zëvendësimit të termocentraleve të vjetra’, deklaroi ai gjatë koktejit të organizuar pas ceremonisë inauguruese të Ambasadës së re të SHBA-ve në Kosovë, për shënimin e festës së përvjetorit të pavarësisë së SHBA-ve.

Engel shprehet i lumtur me investimet e deritanishme të SHBA-ve në Kosovë, ani pse, përpjekjet ende nuk kanë përfunduar.

‘Mburrem që prej 1999 ne kemi investuar 2 miliardë dollarë, në mënyrë që vendi juaj të ngritet në këmbë dhe të zhvillohet. Besoj se këto fonde janë të shpenzuara për qëllime të mira dhe jam i lumtur të deklaroj që nuk kemi përfunduar përpjekjet tona. Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), do të vazhdojë investimet Amerikane këtu, në promovimin e një sektori më të avansuar të energjisë dhe më shumë transparencë në vend’, tha Engel gjatë këtij evenimenti.

Ndryshe, një numër zyrtarësh Amerikan janë shprehur në përkrahje të zëvendësimit të termocentraleve të vjetra me termocentralin e ri, që pritet të sjellë investimin më të madh të pasluftës në Kosovë.

‘Termocentrali 1.4 miliard dollarësh do bëjë ‘revolucion’ në ekonominë e Kosovës’, kishte thënë Ambasadori Philip Kosnett edhe para ardhjes në Kosovë, gjatë prezantimit të objektivave të tija si Ambasador pranë Senatit Amerikan. Ai edhe në disa raste tjera është shprehur në përkrahje të këtij termocentrali.

‘Kosova e Re gëzon mbështetje të fortë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Absolutisht, ne jemi të përkushtuar për realizimin e projektit’, kishte deklaruar Matthew Palmer gjatë një interviste për mediat lokale. ‘Kosovës i nevojitet stabilitet energjetik’, kishte deklaruar ai në një rast tjetër gjatë ceremonisë së shënimit të 20 vjetorit të përfundimit të luftës në Kosovë.

Sipas Palmer, projekti i Kosovës së Re do të sigurojë energji më se të nevojshme dhe pandërprerë për Kosovën si dhe do të ketë ndikim pozitiv në mjedis. Palmer u shpreh i lumtur që një kompani Amerikane po drejton projektin e Kosovës së Re.

Ndryshe, kohë më parë SHBA-të kanë aprovuar projektligjin për ri-strukturimin e OPIC, Agjencisë Private Amerikane të Investimeve të Jashtme, e përfolur si financuese e projektit të Kosovës së Re.

Përmes ristrukturimit dhe rritjes së kapitalit investues të OPIC, SHBA-pretendojnë të zvogëlojnë ndikimin politik të Kinës dhe Rusisë në Ballkan, të cilat edhe kanë financuar ndërtimin e një numri termocentralesh të reja në Serbi dhe Bosne, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Për dallim nga shtet tjera Ballkanike, Kosova i është drejtuar mikut të vjetër – SHBA-ve, për ndihmë në ndërtimin dhe operimin e termocentralit të ri.