eksperti ad

Sulmuesi i Arsenalit, Gabriel Jesus, ka lënë të hapur mundësinë e një transferimi në Serie A gjatë kësaj vere, duke zbuluar se Italia ka qenë një ëndërr e tij që nga fëmijëria.

Braziliani ka qenë i lidhur së fundmi me Juventusin dhe Milanin, ndërsa në një intervistë ai pranoi se futbolli italian ka pasur gjithmonë një vend të veçantë për të.


“Jam rritur duke ndjekur Serie A dhe kam ëndërruar të luaj në Itali. Të shënoja dy gola në San Siro kundër Interit ishte sikur ta bëja realitet atë ëndërr. Nuk e di çfarë do të sjellë e ardhmja, tani po punoj dhe më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë me Arsenalin”.

29-vjeçari realizoi gjashtë gola në 27 paraqitje në të gjitha garat gjatë sezonit 2025/26 me Arsenalin, ndërsa kontrata e tij me klubin londinez skadon në verën e vitit 2027.

Sulmuesi brazilian foli edhe për marrëdhënien e tij me bashkëlojtarin Riccardo Calafiori.

“Jam një person i lumtur dhe bëj shaka me të gjithë, madje edhe me Calafiorin, me të cilin luaj te Arsenali”.

“Calafiori e do Brazilin ashtu si unë e dua Italinë. Tani ai ndodhet në Brazil dhe më dërgon fotografi dhe muzikë braziliane”.

Mungesa e minutave me Arsenalin gjatë sezonit të fundit i kushtoi atij një vend në listën e Brazilit për Kupën e Botës 2026, por sulmuesi pranoi se Carlo Ancelotti kishte marrë vendimin e duhur.

“Nuk mendoj se kam qenë aq pranë përfshirjes në skuadër”.

“Ka pasur lojtarë që janë ftuar shumë herë gjatë vitit të fundit dhe në fund kanë mbetur jashtë. Nëse më pyesni nëse e meritoja të isha në listë, përgjigjja ime është jo”.

Jesus zbuloi gjithashtu se biseda e fundit me Ancelottin kishte ndodhur në muajin janar.

“Folëm në janar, kur po shënoja gola. Fatkeqësisht, në fund të sezonit nuk pata minuta dhe, për të qenë i sinqertë, kjo është arsyeja pse nuk e meritoja të isha në Kupën e Botës. I kuptoj këto situata”.

“Të gjithë duhet ta respektojnë atë. Ai është më i suksesshmi. Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje janë fjalët e atyre që kanë punuar me të: ai është i hapur dhe e shndërron skuadrën në një familje”, përfundoi Jesus./Telegrafi/

telegrafi sport app