Përplasjet politike mbi një ligj të ri zgjedhor në shtetin jugor të Xhorxhias, po kontribuojnë edhe në një debat lidhur me çështjen nëse Shtetet e Bashkuara duhet t’i bojkotojnë Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2022 në Pekin, të Kinës.

Të martën, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price pranoi se SHBA do të diskutojë me aleatët nëse do t’i bojkotojnë së bashku lojërat për të protestuar kundër shtypjes nga ana e Pekinit ndaj pakicave dhe abuzimeve të mëdha të të drejtave të njeriut.

“Një qasje e koordinuar do të jetë jo vetëm në interesin tonë, por edhe të aleatëve dhe partnerëve tanë,” u tha ai gazetarëve në një konferencë të përditshme shtypi. Por ai theksoi se nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar.

Administrata sinjalizoi gatishmërinë për të konsideruar një veprim të tillë pak pasi republikanët konservatorë kërkuan që Presidenti Joe Biden të justifikonte pjesëmarrjen e SHBA-së në lojëra.

Ligjvënësit republikanë ishin të pakënaqur me mbështetjen nga ana e zotit Biden për një protestë kundër ligjit për zgjedhjet në Xhorxhia, , përfshirë vendimin e Ligës së Bejsbollit për të zhvendosur lojën finale nga Atlanta dhe e akuzuan administratën për hipokrizi që nuk bojkotonte Lojërat Olimpike.

Aktivistët në të gjithë botën kanë kërkuar që vendet të bojkotojnë Lojërat e Pekinit për të protestuar ndaj politikave të brendshme të vendit, përfshirë atë që Departamenti i Shtetit e ka quajtur “gjenocid” ndaj ujgurëve myslimanë në provincën Xinjiang dhe goditjen ndaj lëvizjes pro-demokracisë në Hong Kong.

Megjithëse kishte pasur disa diskutime mbi mundësinë që Shtetet e Bashkuara të bojkotojnë Lojërat Olimpike Dimërore ose të kufizojnë pjesëmarrjen, kësaj çështjeje deri tani nuk i ishte kushtuar shumë rëndësi në debatin publik.

Por gjërat kanë ndryshuar pasi zoti Biden tha në një intervistë javën e kaluar me kanalin televiziv sportiv ESPN se ai do të mbështeste vendimin e Ligës së Bejsbollit për të zhvendosur lojën jashtë Xhorxhias, si reagim ndaj ligjit të shtetit për zgjedhjet.

Akuzat për shtypjen e votës

Pas fitoreve të demokratëve në zgjedhjet e përgjithshme dhe në dy garat për senatin që u dhanë demokratëve kontroll të plotë të Kongresit, legjislatura me shumicë të thellë republikanë e shtetit të Xhorxhias miratoi një sërë masash që ndryshonin ligjet e votimit të shtetit.

Konsensusi i përgjithshëm është se disa elementë të ligjit do ta bëjnë më të vështirë votimin në zonat urbane të shtetit, të cilat janë më të larmishme nga pikëpamja racore dhe kanë prirjen të votojnë për demokratër, dhe do të zgjerojnë qasjen në zonat rurale dhe kryesisht të bardha që favorizojnë republikanët.

Javën e kaluar, gjatë intervistës për ESPN-in zotit Biden iu kërkua të shprehej për vendimin e Ligës së Bejsbollit.

“Unë mendoj se sportistët po veprojnë me shumë përgjegjësi,” tha zoti Biden. “Unë i mbështes me forcë.”

Dy ditë më pas, kur kampionati njoftoi se do të zhvendosë lojën nga Atlanta në Denver të Kolorados, reagimi i së djathtës ishte i menjëhershëm. Një numër komentatorësh konservatorë dhe zyrtarësh të zgjedhur kritikuan atë që e quajtën “kulturë përjashtimi” dhe u bashkuan rreth kërkesës që zoti Biden të justifikojë pjesëmarrjen e SHBA-së në Lojërat Olimpike, duke pasur parasysh trajtimin që i bën qeveria kineze popullit të vet.

“Pasi Joe Biden të vendosë të bojkotojë Lojërat Olimpike në Kinë, ku regjimi komunist kinez po kryen gjenocid, atëherë ai mund të flasë për Xhorxhian”, shkruante në Twitter senatorja republikane Marsha Blackburn nga shteti Tenesi.

“Presim me padurim të shohim se çfarë do të thotë presidenti i Shteteve të Bashkuara në lidhje me rregullat e votimit të Kinës,” shkruante bordi editorial i gazetës Wall Street Journal.

Redaktorët e gazetës thonë se ata nuk mbështesin bojkotimin, megjithëse ata kërkojnë nga zoti Biden të shpjegojë pse ai nuk po bën thirrje për një gjë të tillë.

Mbështetja për bojkot

Megjithatë ka disa vjet që ligjvënës konservatorë kanë shprehur kundërshtime për pjesëmarrjen e plotë të SHBA-së në Lojërat e Pekinit. Ata kanë sugjeruar që nga bojkotimi i plotë e deri tek një “bojkot diplomatik” më i kufizuar, sipas së cilit delegacioni amerikan të drejtohej nga një zyrtar më i ulët i administratës dhe jo nga presidenti ose nënpresidentja.

Muajin e kaluar, senatori republikan Mitt Romney nga Utah, i cili ishte president dhe shef ekzekutiv i Komitetit Organizativ të Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 2002 në Salt Lake të shtetit të tij, bëri thirrje për një bojkotim të kombinuar ekonomik dhe diplomatik të Lojërave Dimërore 2022. Ai shkruante në gazetën New York Times:

“Të demonstrojmë kundërshtimin tone ndaj abuzimeve të Kinës në një mënyrë që të dëmtojë Partinë Komuniste kineze dhe jo sportistët tanë amerikanë: pakësoni të ardhurat e Kinës, bllokoni propagandën e tyre dhe zbuloni abuzimet e tyre .”

Jules Boykoff, profesor i shkencave politike në Universitetin e Paqësorit dhe autor i katër librave rreth politikës së Lojërave Olimpike tha, “Shumë nga argumentat për bojkotimin e lojërave, ose zhvendosjen e tyre, në të vërtetë kanë ardhur nga qarqet Republikane. (Senatori i Floridës) Marco Rubio, për shembull, ka mbajtur këto qëndrime, ashtu si edhe (Kongresmeni) Christopher Smith në New Jersey.”

Prof. Boykoff thotë se këto argumenta kanë pasur mbështetje edhe nga demokratë.

” Pra ka mbështetje dypartiake për ta shqyrtuar këtë mundësi”, tha ai.

Bojkotimi i plotë nuk ka shumë gjasa të ndodhë

Megjithatë disa ekspertë besojnë se ka pak të ngjarë që të ndodhë diçka më shumë sesa një bojkot i kufizuar diplomatik.

Victor A. Matheson, një profesor në Universitetin Holy Cross në Boston i cili studion ekonominë e sportit, tha se historikisht, bojkotet olimpike kanë qenë shumë jopopullore brenda vendit sepse “sportistët humbin mundësinë për të konkurruar, dhe në shumë sporte, kjo është mundësia e vetme për përfitim financiar pas një pune ndoshta prej disa dekadash.”

“Do të isha shumë i befasuar nëse i bojkotojmë ato. Mendoj se do të ishte shumë e vështirë politikisht për Presidentin Biden, kryesisht sepse aq shumë amerikanë mendojnë për vetë sportistët, të cilëve do t’u mungonte kjo mundësi.”

Por fakti që ky debat po ndodh mund të jetë një shenjë se në të ardhmen, abuzimet me të drejtat e njeriut mund të jenë një faktor i rëndësishëm për t’u konsideruar kur organizatat ndërkombëtare shqyrtojnë ofertat për të organizuar aktivitete të mëdha. /VOA/