eksperti-banner

Lionel Messi, Kylian Mbappé dhe Erling Haaland e kanë nisur në mënyrë të jashtëzakonshme Kupën e Botës 2026, duke udhëhequr kombëtaret e tyre me paraqitje mbresëlënëse dhe duke thyer rekorde që në ndeshjet e para të turneut.

Argjentinasi realizoi një tregolësh, ndërsa Mbappé dhe Haaland shënuan nga dy gola secili, duke konfirmuar statusin e tyre si disa nga figurat kryesore të futbollit botëror.


Messi barazon rekordin historik të Kloses

Lionel Messi ishte protagonisti absolut në fitoren e Argjentinës ndaj Algjerisë. Me tre golat e realizuar, kapiteni argjentinas e çoi në 16 numrin e golave në Kupat e Botës, duke barazuar rekordin e legjendës gjermane Miroslav Klose si golashënuesi më i mirë në historinë e turneut.

Performanca e tij mahniti botën e futbollit, ndërsa edhe Erling Haaland reagoi në rrjetet sociale me një mesazh të shkurtër por domethënës: “Ai është i çmendur”.

Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, nuk i kurseu fjalët e mëdha për yllin e tij.

“Pa fjalë. Messi do të jetë përgjithmonë më i miri në histori. Do të jetë shumë e vështirë që dikush ta arrijë atë. Ai e ka bërë këtë për 20 vjet dhe ne duhet ta shijojmë sa është ende në fushë”, deklaroi Scaloni.

Vetë Messi u tregua i përmbajtur për rekordin e arritur. “Është një nder të jem në atë nivel, por është vetëm një statistikë. Nuk ndryshon asgjë për mua. Gjithçka që vjen tani është një bonus”, tha ai.

Mbappé vendos dy rekorde me Francën

Edhe Kylian Mbappé shkëlqeu në debutimin e Francës, duke realizuar dy gola në fitoren 3-1 ndaj Senegalit. Me dygolëshin e tij, sulmuesi francez u bë golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares franceze me 58 gola, duke lënë pas Olivier Giroudin.

Po ashtu, ai u ngjit në krye të listës së golashënuesve francezë në historinë e Kupës së Botës me 14 gola, duke kaluar Just Fontaine.

“Mendoj se do të kem kohë të mendoj për këto rekorde pasi të përfundoj karrierën. Tani jam i fokusuar te skuadra dhe objektivat tona”, tha Mbappé pas ndeshjes.

Një rol të rëndësishëm në suksesin e Francës pati edhe Michael Olise, i cili dhuroi asistimin perfekt për golin e parë të Mbappés dhe udhëhoqi lojën sulmuese të “Gjelave” në pjesën e dytë.

Haaland e nis me dopietë

Erling Haaland nuk zhgënjeu në debutimin e tij në Kupën e Botës. Sulmuesi norvegjez realizoi dy gola në fitoren bindëse 4-1 ndaj Irakut dhe vazhdoi formën e tij të jashtëzakonshme me kombëtaren.

25-vjeçari ka shënuar tashmë në 11 ndeshje radhazi për Norvegjinë, duke konfirmuar se është një nga sulmuesit më të frikshëm të futbollit modern.

“Prisja një paraqitje të tillë prej tij. Në stërvitjet e fundit dukej në formë të shkëlqyer dhe e tregoi këtë edhe në fushë”, tha trajneri Stale Solbakken.


Vinicius shkëlqen, Ronaldo dhe Kane në skenë

Edhe Vinicius Junior la gjurmë në debutimin e Brazilit, duke realizuar golin që i siguroi Seleçaos barazimin 1-1 ndaj Marokut.

“Vinicius shënoi një gol fantastik. Ai ka të gjitha cilësitë për të zhvilluar një Kupë Bote të shkëlqyer”, vlerësoi trajneri Carlo Ancelotti.

Ndërkohë, sot pritet debutimi i dy superyllëve të tjerë të futbollit botëror. Cristiano Ronaldo do të nisë Kupën e tij të gjashtë të Botës me Portugalinë në ndeshjen kundër Republikës Demokratike të Kongos, ndërsa Harry Kane do të udhëheqë Anglinë në përballjen ndaj Kroacisë.

Një tjetër emër që pritet të tërheqë vëmendje në vazhdim të turneut është edhe Lamine Yamal. Talenti spanjoll luajti vetëm minutat e fundit në barazimin e Spanjës me Kepin e Gjelbër, por pritet të ketë më shumë hapësirë në ndeshjen e ardhshme kundër Arabisë Saudite.

Kupën e Botës e kanë nisur me shkëlqim disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit dhe, nëse ditët e para janë tregues, spektakli sapo ka filluar. /Telegrafi/

telegrafi sport app