Artistja me famë botërore, Dua Lipa, dhe bashkëshorti i saj i ri, Callum Turner, festuan martesën e tyre me një ceremoni përrallore në Sicili të shtunën, ku të ftuarit patën mundësinë të shijonin edhe një performancë të veçantë nga Elton John.

Çifti organizoi një festë luksoze në vilën historike Villa Valguarnera në Bagheria, në lindje të Palermos, ku shkëmbyen betimet martesore gjashtë ditë pas ceremonisë së tyre zyrtare në Marylebone Town Hall në Londër, shkruan DailyMail.


Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte performanca e Elton John, mik i afërt i këngëtares, i cili interpretoi hitin e tij të famshëm “Your Song”.

Sipas raportimeve, Dua Lipa, 30 vjeçe, kishte veshur një fustan të zbukuruar me diamante, i dizajnuar nga legjenda e modës Donatella Versace, e cila u pa duke festuar me çiftin gjatë një kokteji të organizuar një natë më parë.

Ceremonia përbënte kulmin e një feste treditore. Nusja mbërriti rreth orës 18:00 sipas kohës lokale, duke bërë një hyrje spektakolare përgjatë një rruge të gjatë të rrethuar me lule bougainvillea.

Burime pranë organizimit kanë bërë të ditur se përpara vilës ishte vendosur një gjysmë-rreth karrigesh, ndërsa në qendër ndodhej një gazebo ku u zhvillua ceremonia.

“Dua dhe Callum u ulën në një skenë nën gazebo dhe zhvilluan një shkëmbim të thjeshtë, por shumë emocional të betimeve martesore”, tha një burim.

Familjarët e çiftit u transportuan nga Palermo drejt vilës, megjithëse udhëtimi pothuajse përfundoi me një incident për nënën e Duas, Anesa Lipa, pasi shoferi pranoi se kishte harruar këpucët e saj në veturë.

Brenda vilës, ambienti ishte zbukuruar me bozhure dhe zymbyla, ndërsa të ftuarve u ishin vënë në dispozicion edhe kabina fotografike për kujtime nga ceremonia.

Në karriget e vendosura jashtë, mysafirët gjetën shami të qëndisura me mbishkrimin: “Stay mad with me forever” (“Qëndro i çmendur me mua përgjithmonë”).

Pak para orës 23:30, qielli mbi Villa Valguarnera u ndriçua nga një spektakël fishekzjarrësh që zgjati rreth 10 minuta.

Banorë të zonës ndaluan automjetet e tyre për të ndjekur shfaqjen dhe dëgjoheshin duke brohoritur në italisht: “Viva gli sposi” (“Rroftë çifti i sapomartuar”).

Dua dhe Callum kishin mbërritur në Palermo që të enjten. Në mesin e mysafirëve ishte edhe këngëtarja Charli XCX, si dhe prindërit e Duas, Dukagjin Lipa dhe Anesa, ndërsa nga ana e aktorit mori pjesë edhe nëna e tij, Rose Turner.

Të enjten në mbrëmje, të ftuarit që po qëndronin në hotelin luksoz Igiea, ku një natë kushton rreth 1 mijë funte, morën pjesë në një festë në jaht. Ndërsa të premten, çifti organizoi një tjetër festë në Galleria Moderna.

Për këtë rast, Dua tërhoqi vëmendjen me një fustan të personalizuar nga Bottega Veneta, ndërsa edhe çanta e saj ishte nga i njëjti brend, e zbukuruar me pupla dekorative.

Elton John mbërriti në Sicili me avion privat nga Farnborough i Anglisë dhe u transportua drejtpërdrejt nga aeroporti në ceremoni, ku mbërriti pikërisht në kohë për performancën e tij.

Atmosfera festive u pasurua gjithashtu nga muzika e disa DJ-ve të njohur ndërkombëtarë, përfshirë Carl Cox, Martin Garrix, David Guetta dhe Peggy Gou.

Megjithatë, jo të gjithë banorët e Palermos e mirëpritën organizimin e festimeve. Në qytet u vendosën postera me mbishkrime si: “Palermo nuk jepet me qira. Hapësirat publike u përkasin të gjithëve”, “Sheshi ynë nuk është dhoma juaj e ndenjës” dhe “Palermo nuk është vetëm për të pasurit”.

Villa Valguarnera ka një histori të veçantë. Dikur e njohur si një strehë e mafias, ajo sot menaxhohet nga princesha Vittoria Alliata di Villafranca, e cila vazhdon të jetojë në rezidencën madhështore baroke të shekullit XVIII.

Vila është bërë e njohur edhe për publikun ndërkombëtar pasi shërbeu si lokacion për xhirimet e skenave hyrëse të sezonit të dytë të serialit The White Lotus.

Në vitet 1980, prona për një periudhë të shkurtër ishte nën kontrollin e mafias lokale, e cila kishte planifikuar ta shndërronte atë në kazino dhe madje kishte vjedhur një statujë të Ciklopit duke përdorur një helikopter.

Në faqen zyrtare të vilës, princesha Vittoria Alliata ka shkruar: “Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të më duhej të mbroja me çdo kusht këtë trashëgimi kulturore të paçmueshme nga ndërhyrjet shkatërruese të politikanëve dhe mafiozëve”. /Telegrafi/