Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të donte ta shihte Gianni Infantinon si Sekretarin e Përgjithshëm të ardhshëm të OKB-së, sipas gazetës The New York Post.

Presidenti i FIFA-s u afrua me Trump gjatë organizimit dhe pritjes së Kupës së Botës 2026, pasi ia dorëzoi atij Çmimin e Paqes të FIFA-s dhjetorin e kaluar.


Trump beson se Infantino “respektohet nga të gjithë në botë” dhe zotëron “një aftësi të veçantë për të bashkuar njerëzit”, i tha gazetës amerikane një burim pranë Presidentit të SHBA-së.

Një Sekretar i Përgjithshëm i ri i OKB-së do të zgjidhet këtë vit për të zëvendësuar Antonio Guterresin e Portugalisë, i cili largohet në fund të dhjetorit.

Për të siguruar pozicionin, Infantino do të ketë nevojë për miratimin e Këshillit të Sigurimit prej 15 anëtarësh, ku pesë anëtarë të përhershëm kanë të drejtë vetoje, e më pas konfirmimin nga Asambleja e Përgjithshme.


Mbetet e paqartë nëse Infantino dëshiron vërtet të bëhet Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së apo sa gjerësisht e ka diskutuar Trump këtë çështje me të.

Megjithatë, udhëheqësi amerikan sheh një mundësi të qartë mes një fushe prej shtatë kandidatësh të përshkruar nga një burim i brendshëm si "të dobët", raporton The New York Post. /Telegrafi/

telegrafi sport app