LAJMI I FUNDIT:

Doktori i sportit

Doktori i sportit

Ibrahim Berisha e ka kaluar një jetë duke e ndihmuar sportin përmes profesionit të tij, atë të doktorit.

61-vjeçari ka punuar si mjek sportiv në klube të ndryshme dhe në Reprezentacionin e Kosovës në Kick-Boks. Ai është i mishëruar me sportin dhe kishte rrezikuar shpesh para luftës vetëm për t’i kontrolluar sportistët. Një kohë ishte edhe vetë sportist, përkatësisht basketbollist. Gjithashtu e ka kryer me sukses edhe rolin e liderit në sport, duke udhëhequr klube të kick-boksit derisa një kohë të gjatë ishte edhe nënkryetar i Federatës së këtij sporti. Ka dhënë kontribut edhe në pavarësimin e sportit kosovar dhe në çështje kombëtare pas luftës.


Një njeri i vullnetit të mirë

Ibrahim Berisha ka ditur ta gërshetojë mjaft mirë mjekësinë me sportin, shkruan zeri.info.

61-vjeçari e ka çuar një jetë të tërë duke i kontribuuar sportit përmes profesionit të tij, atë të doktorit.

Karriera e tij si basketbollist i Kosovarit të Bardhë të Bellaqevcit, me të cilin luajti dy vjet në ligën e dytë krahinore të asaj kohe dhe pesë vjet të tjera në ligën e parë, në periudhën 1978-1985, nuk nënkuptoi shkëputje totale nga sporti për të.

Krahas mjekësisë, për të cilën studioi, ai vazhdoi të mbetej në botën e sportit.

“Meqenëse kam qenë basketbollist në fshatin ku kam jetuar unë ka qenë një trajner i Full-Kontaktit, Fidair Berisha, njëherësh selektor dhe anëtar i Federatës së Full-Kontaktit, i cili e kishte formuar klubin Rinia nga Grabovci dhe meqenëse e dinte se unë merresha me basketboll dhe e kisha përvojën si sportist më propozoi të bëhesha kryetar i klubit dhe atë eksperiencë që e kisha ta transmetoja në organizim të klubit të Full-Kontaktit. Nga ajo kohë filloi gjithçka rreth kick-boksit”, tregon fillimisht për “Zërin” Berisha, i cili para pak vjetësh ishte zgjedhur “Punëtori Sportiv i Vitit” në komunën e Fushë Kosovës, Obiliqit si dhe shumë herë “Punëtor Sportiv dhe Mjek Sportiv i Federatës së Kick-Boksit”.

Doktor në kick-boks dhe në futboll

Berishës i ka rënë t’i ndërronte sportet, por kontributi dhe përkushtimi kanë qenë të njëjtë.

Ai i ka ndihmuar shumë klubet e futbollit, KEK-un para luftës dhe Fushë Kosovën pas luftës.

Dhe për ta kryer këtë punë s’e kishte aspak lehtë.

“I kam kryer vizitat në mënyra të fshehta, diskrete, sistematike të të gjithë futbollistëve. Në mënyrë interne, pasi jemi frikësuar nga regjimi”, kujton ai.

“Gjithashtu kam qenë mjek kujdestar edhe në klube të kick-boksit dhe në Reprezentacionin e Kosovës në këtë sport”, shton më tutje ai.

Sipas Berishës, tashmë ekziston një vetëdijesim i të gjitha institucioneve sportive dhe sportistëve që të bëhen vizita sistematike të sportistëve, pasi sugjeron se kjo është një gjë shumë e rëndësishme.

Mbi të gjitha, për të ka rëndësi mbrojtja e shëndetit të sportistit.

Për shkak të moshës ai është tërhequr vitin e kaluar nga sporti, por është i gatshëm të kontribuojë kurdoherë.

Madje në fillim të këtij sezoni e kishin thirrur në ndeshjen Fushë Kosova – Hajvalia, pasi vendësit në atë ndeshje kishin mbetur pa mjek.

“Derisa të vdes unë mishërohem me sport. Është problem të ndahem nga ai. Sporti është diçka e veçantë, sidomos për ata që kanë qenë pjesë aktive e tij. Unë jam i gatshëm të kontribuoj në çdo moment me përvojën që e kam sepse maxima ‘Men sanna in corpora sanna’ (mendja e shëndoshë në trupin e shëndoshë) i përgjigjet më së miri sportit, sportistëve dhe rinisë së shëndoshë”, nënvizon Berisha, i cili kujton rastet që kanë qenë të vështira për të kur është dashur t’u thoshte sportistëve se duhet ta ndërprisnin karrierën për shkak të anomalive dhe problemeve të ndryshme shëndetësore.

Pa dyshim ai ka dhënë shumë për sportin dhe nuk ka marrë shumë nga ai.

Thotë se nga sporti ka marrë popullaritet, shumë mirënjohje nga Komuna e Fushë Kosovës, Federata e Kick-Boksit, Federata e Karatesë, Federata e Boksit dhe Federata e Futbollit që për të janë një kujtim i artë dhe e ka krijuar një shoqëri si në arenën kombëtare, ashtu edhe në atë ndërkombëtare në lëmin e sportit, shkruan zeri.info.

Gjithçka që ka bërë e ka bërë nga dëshira për të ndihmuar, pa qëllime për të përfituar. “Angazhimi në kohë, në energji dhe në anën materiale ka qenë një obligim imi moral si sportist dhe kombëtar që të ndihmoj në avancimin e sportit. Do të thotë krejt këto gjëra janë bërë në baza vullnetare. Unë krenohem me atë kontribut sado i vogël që ka qenë, që kam dhënë diçka për sportistët tanë, për popullin tonë”, thekson Berisha.Image

Kryetar i klubeve, nënkryetar i Federatës

Berisha është treguar i suksesshëm edhe në udhëheqje.

Ai ishte nënkryetar i Federatës së Kick-Boksit për 16 vjet, nga viti 1995 deri në atë 2011. Gjithashtu tregon se ka qenë mjek i Reprezentacionit të Kosovës në Kick-Boks.

Ishte edhe mjek kujdestar në të gjitha kampionatet shtetërore dhe kampionateve individuale që janë mbajtur në Kosovë para dhe pas luftës.

Ka qenë edhe pjesëmarrës në dy kampionate botërore të Kick-Boksit si nënkryetar i Federatës dhe njëkohësisht si mjek i Reprezentacionit, në vitet 2004 në Basel të Zvicrës dhe në vitin 2008 në Berlin të Gjermanisë, të cilat kanë qenë të organizuara nga Federata Botërore e Kick-Boksit – WKA me kryetar Paul Ingram, ku Kosova është kthyer me medalje të arta, të argjendta dhe të bronzta.

Ndër të tjera mjeku i palodhshëm ka qenë edhe kryetar i klubeve: Rinia nga Gravovci, klubi i parë i krijuar në vitet 1990-2000, pastaj kryetar i klubit Salba Tring të Fushë Kosovës (200-2003) dhe kryetar i klubit Ideali nga Obiliqi (2003-2006), që të gjithë në Kick-Boks.

Nga kjo eksperiencë tregon se me klubet e tij i ka fituar më se 30 tituj kampioni shtetëror.Image

Federata e parë e pranuar ndërkombëtarisht

Para luftës Federata e Kick-Boksit ishte regjistruar si Federata e Full-Kontaktit.

Por, emrin e ndërroi pas luftës kur filluan edhe sukseset që nga pranimi, pasi ishte kjo Federatë që ia bëri sefte.

“Jemi Federata e parë në Kosovë që jemi pranuar ndërkombëtarisht në vitin 2002, edhe pse Kosova nuk ka qenë ende shtet. Për herë të parë kemi marrë pjesë në Kampionat Botëror në vitin 2004 ende pa u shpallur Kosova shtet. Shqipëria nuk kishte sport të kick-boksit në atë kohë, prandaj e patëm mundësinë ta përdornim himnin tonë kombëtar dhe flamurin kombëtar”, tregon ai.

Berisha mendon se sporti i kick-boksit ka avancuar shumë pas luftës.

Ai shton se tash kushtet janë më adekuate dhe më të mira për sportistë, të cilët kanë edhe përfitime të ndryshme për dallim prej para luftës kur gjithçka kryhej me mjete vetanake.

Ndër të tjera Berisha mund të mburret me kontributin e tij, pasi zbulon se në vitet e ’90-ta së bashku me Ismail Kosumin, Ejup Maxherën, Ismet Bajçincën, Fidair Berishën dhe elitën e sportit që ka qenë e kishin mbajtur sportin paralel, respektivisht ishin iniciues të themelimit të lidhjes së sporteve në vitet e ’90-ta në komunën e Fushë Kosovës për ta bërë sportin paralel në Republikë të Kosovës në vitet 1990-’91-’92, pra pavarësimin e sportit nga okupimi i atëhershëm serb.

Kur ishte themeluar Federata e Kick-Boksit, kujton ai, përgjegjës për sport në kuadër të Republikës në vitin 1995 ka qenë Ramë Buja, shkruan zeri.info.

Ai ka shpjeguar se në kuadër të Federatës së Kick-Boksit kishte garuar edhe boksieri i njohur Elvir Muriqi, i cili e kishte marrë lejen speciale pikërisht nga doktor Berisha për të garuar si 16-vjeçar dhe me këtë rast ishte bërë kampion.

Gjithashtu, sipas Berishës, prej vitit 1994 deri më 2004-n anëtar i Bordit të kësaj Federate ka qenë edhe trajneri i tashëm i xhudos Driton Kuka, i cili e kishte klubin e Full-Kontaktit, Ippon, nga Peja.

Berisha ndër të tjera me profesion është specialist i Radiologjisë – radiolog.

Ka punuar rreth 30 vjet në Institutin e Mjekësisë së Punës e momentalisht punon në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kastriot dhe qe 12 vjet e ka ordinancën e tij private, në të cilën punon në Fushë Kosovë.

Berisha ka status të veteranit të luftës së fundit në Kosovë pasi si doktor që është ishte bërë pjesë e spitalit ushtarak të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ishte furnizues me barna i spitalit ushtarak në Likoc.

Në jetën e përditshme shoqëroro-politike ka qenë këshilltar komunal në Fushë Kosovë në vitet 2000-2007 dhe nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Dega Fushë Kosovë në periudhën 2000-2013.

Përndryshe, ishte pjesëmarrës i të gjitha konventave që i ka mbajtur PDK-ja në nivel qendror.

“Shumicën e kampionateve i kemi mbajtur në palestra private duke u fshehur. Një herë në vitin 1996 ose ’97 na pati ndalur policia serbe, na patën marrë dorëzat dhe na patën shtrirë në asfalt. Megjithatë, ne kemi vazhduar. Ka qenë një vullnet i fortë për t’i kontribuuar zhvillimit të sportit”, Ibrahim Berisha.

Fakt

Ibrahim Berisha një kohë ishte edhe vetë sportist. Ai ishte basketbollist i Kosovarit të Bardhë nga Bardhi i Madh, për të cilin ekipi ka luajtur dy vjet në Ligën e Dytë të Kosovës dhe pesë vjet tjera në Ligën e Parë në periudhën 1978-1985. Berisha e ka kryer me sukses edhe rolin e liderit në sport, duke udhëhequr klube të kick-boksit dhe ishte nënkryetari i Federatës së Kick-Boksit. Ai sot me nostalgji i lexon mirënjohjet e shumta që i ka marrë për kontributin e dhënë në sport në kohët më të vështira.

/Zëri/