LAJMI I FUNDIT:

Dardanet triumfojnë bindshëm në miqësoren e parë ndaj Maqedonisë së Veriut

Dardanet triumfojnë bindshëm në miqësoren e parë ndaj Maqedonisë së Veriut

Vashat e Kosovës A në ndeshjen e parë miqësore në ballafaqim me Maqedoninë e Veriut, që u zhvillua sot në Shkup, kanë triumfuar me rezultat bindës 3-1.

Futbollistet tona gjatë gjithë ndeshjes ishin më të mira, duke zotëruar plotësisht takimin.


E qarkulluan më mirë topin, bashkëvepruan më mirë, krijuan aksione të  mira e të rrjedhshme dhe ne konkretizime me gola.

Pjesa e parë u mbyll me rezultat minimal me golin e Donjeta Halilajt në minutën e 40-të pas një goditje nga largësia dhe topi  nëpër shuplakat e portieres Lekoska përfundoi në rrjetë.

Edhe pjesa e dytë nisi me mbizotërim të Dardaneve, të cilat në minutën e 55-të shtojnë epërsinë në 2:0 pas një aksioni vetjak të Fleta  Musajt para  portës maqedonase.

Pas golit të dytë futbollistet e Maqedonisë së Veriut, morën një iniciativë të lehtë dhe arritën të ngushtojnë epërsinë e Dardaneve përmes Yllza Maksutit.

Deri në fund të takimit futbollistet tona plotësisht e kontrolluan ndeshjen dhe në minutën 85-të Feride Kastrati u përkujdes që të shënojë golin e tretë për 3:1, me të cilin rezultat përfundoi edhe ky takim.

Miqësorja e dytë ndërmjet këtyre dy ekipeve do të luhet të dielën më 11 prill.