eksperti-banner

Marc Cucurella ka thyer heshtjen pas transferimit të tij të madh te Real Madridi, duke zbuluar se një telefonatë inkurajuese nga Jose Mourinho ka luajtur rol të rëndësishëm në vendimin e tij për t’u bashkuar me “Los Blancos”.

Pavarësisht lidhjes së tij të fortë me akademinë e famshme të Barcelonës, La Masia, 27-vjeçari këmbënguli se nuk mund ta refuzonte mundësinë për t’u bashkuar me klubin më të suksesshëm në Evropë.


Mbrojtësi i ri i Real Madridit, i transferuar nga Chelsea për rreth 60 milionë euro, tregoi se Mourinho e kishte kontaktuar personalisht për t’i shprehur besimin e tij para bashkëpunimit të tyre në Madrid.

“Po, kemi folur dhe më tha se mezi po priste të punonte me mua, se do të përshtatesha shumë mirë dhe se Real Madridi është një klub i madh”.

“Më tha vetëm që të bëja një Botëror të mirë dhe se do të shiheshim në Madrid”, deklaroi Cucurella fillimisht.

“Ka pasur opsione të ndryshme, por kur erdhi oferta e Real Madridit, nuk u mendova dy herë. Mendoj se është një mundësi unike.”

“Në fund të fundit, të luash për Real Madridin është një nder dhe jo shumë lojtarë mund ta thonë këtë, prandaj nuk kisha asnjë dyshim”.

Duke iu drejtuar tifozëve që mund ta kenë të vështirë ta shohin një ish-lojtar të La Masias me fanellën e bardhë, ai tha se Real Madridin nuk mund ta refuzojë askush.

“Jeta ka faza të ndryshme. Këtë herë më është dashur të marr një vendim të rëndësishëm dhe nuk kam dyshime, mendoj se është një hap i madh për mua”.

“Kur je fëmijë, ëndërron të luash për klubet më të mëdha dhe Real Madridi është një prej tyre. Ata janë skuadra me më shumë tituj të Ligës së Kampionëve dhe shpresoj të fitoj trofe me ta dhe të kem një periudhë të suksesshme në Madrid”, përfundoi ai./Telegrafi/

telegrafi sport app