eksperti-banner

Francisco Conceicao ka mohuar se lojtarët e Portugalisë ndihen të detyruar t’ia pasojnë topin Cristiano Ronaldos sa herë që sulmojnë, duke theksuar se vendimet në fushë merren instinktivisht dhe jo në bazë të emrit të bashkëlojtarit.

Sulmuesi anësor portugez vlerësoi cilësitë e jashtëzakonshme të Ronaldos para portës, por sqaroi se skuadra nuk ka asnjë detyrim për ta kërkuar vazhdimisht kapitenin në aksionet sulmuese.


"Jo, Cristiano e ka cilësinë e tij për të shënuar gola, nuk ka askush si ai në këtë aspekt. Por ne nuk e kemi atë detyrim, atë nevojë për t’ia pasuar topin atij", deklaroi Conceicao.

Futbollisti i Portugalisë shpjegoi se zgjedhjet në fazën sulmuese bëhen brenda pak çastesh dhe bazohen vetëm te situata në fushë.

"Për shembull, unë ia pasoj topin atij që është më i lirë. Nuk kam kohë të mendoj për fytyrën e bashkëlojtarit që kam pranë. Ne veprojmë me instinkt, janë milisekonda dhe nuk ka kohë për gjëra të tilla".

"Cristiano është këtu për të ndihmuar, ashtu si çdo bashkëlojtar tjetër në kombëtare", përfundoi ai.

Portugalia vazhdon rrugëtimin e saj në Kupën e Botës 2026 me Ronaldon si lider të skuadrës, por sipas Conceicaos, vendimet në fushë merren gjithmonë në funksion të ekipit dhe jo të një individi të vetëm./Telegrafi/

telegrafi sport app