LAJMI I FUNDIT:

Chelsea triumfon me përmbysje në derbin e tensionuar ndaj Arsenalit

Chelsea triumfon me përmbysje në derbin e tensionuar ndaj Arsenalit
Chelsea (Foto: Shaun Botterill/Getty Images/Guliver)

Chelsea ka triumfuar me rikthim 2-1 ndaj Arsenalit në ndeshjen e vlefshme për javën e 20-të në Ligën Premier.

Blutë kanë arritur ta fitojnë derbin e tensionuar lokal ndaj Topçinjve në Emirates, ku u jepen plot nëntë kartonë të verdhë.


Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat, por me vendasit për një nuancë më të mirë duke shënuar edhe një gol.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 13-të të ndeshjes dhe ishte Pierre-Emerick Aubameyang, i cili shënoi për 1-0 pas asistimit të Callum Chambers.

Momenti i golit nga Aubameyang (Foto: Julian Finney/Getty Images/Guliver)

Në pjesën e dytë, Blutë e Londrës morën dominimin duke rrezikuar shumë në kërkim të golit dhe arritën ta përmbysin rezultatin.

Goli i barazimit nga Chelsea erdhi në minutën e 83-të dhe ishte Jorginho, i cili shënoi për 1-1 pas një gabimi amatoresk të portierit Bernd Leno dhe kjo i dha zemër mysafirëve.

Jorginho riktheu në lojë Chelsean (Foto: Shaun Botterill/Getty Images/Guliver)

Pas këtij goli të barazimit, sulmuesi Tammy Abraham shfrytëzoi një kundërsulm për të shënuar për 2-1 në minutën e 86-të dhe vulosi fitoren e ekipit të tij.

Pas kësaj fitore, Chelsea e sheh veten në pozitën e katërt me 25 pikë, ndërsa Arsenali renditet i 12-ti me 24 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Topçinjtë e presin Manchester Unitedin, ndërsa Chelsea udhëton te Brightoni. /Telegrafi/