Regjisori dhe aktori i njohur Taika Waititi do të jetë nikoqir i gala-mbrëmjes së amfAR Venezia, e cila do të zhvillohet më 6 shtator në kompleksin luksoz Molino Stucky, në kuadër të Festivalit të Filmit në Venecia.

Në këtë event të rëndësishëm humanitar do të jetë e pranishme edhe këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, e cila do të ngjitet në skenë për një performancë muzikore, shkruan The Hollywood Reporter.


Mbrëmja do të nderojë gjithashtu artisten dhe performuesen e njohur Marina Abramović, e cila do të vlerësohet me çmimin “Award of Inspiration”.

Taika Waititi (Foto: Taika Waititi/Instagram)

Kjo paraqitje vjen për Bebe Rexhën pas publikimit të albumit të saj të fundit, “Dirty Blonde”, duke e bërë këtë një tjetër ngjarje të rëndësishme në kalendarin e saj artistik.

“Jemi jashtëzakonisht të lumtur që Taika Waititi do të jetë me ne në Venecia si nikoqir i këtij eventi. Ai ka qenë për shumë vite një mbështetës i palëkundur i luftës kundër AIDS-it dhe veçanërisht i amfAR-it”, ka deklaruar CEO i amfAR, Kyle Clifford.

Waititi nuk është i panjohur me këtë event. Regjisori dhe aktori, i cili është bashkëshorti i këngëtares Rita Ora, ka marrë pjesë edhe në edicionet e mëparshme të gala-mbrëmjes. Në vitin 2023, ai dhe Rita Ora ishin të pranishëm në amfAR Venezia.

Përveç rolit si nikoqir, Waititi do të ketë edhe angazhime të tjera gjatë qëndrimit në Venecia. Ai do të jetë pjesë e kastit të filmit “Place to Be”, me regji të Kornél Mundruczó, ku interpreton krahas Ellen Burstyn dhe Murray Bartlett. Filmi është pjesë e përzgjedhjes zyrtare të festivalit.

Bebe Rexha (Foto: Bebe Rexha/Instagram)

Ndërkohë, artistja Marina Abramović i bashkohet një liste të gjatë personalitetesh të nderuara ndër vite në gala-n e amfAR, ku bëjnë pjesë emra si Antonio Banderas, Richard Gere, Ava DuVernay, Ferzan Özpetek dhe Julian Schnabel.

Programi i mbrëmjes do të përfshijë kokteje, një darkë gala me veshje elegante, si dhe një ankand të drejtpërdrejtë ku do të ofrohen vepra arti bashkëkohor dhe përvoja të veçanta.

Eventi i amfAR do të zhvillohet gjatë Festivalit të Filmit në Venecia dhe do të synojë mbledhjen e fondeve dhe rritjen e ndërgjegjësimit për kërkimet dhe luftën kundër AIDS-it. /Telegrafi/