Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, ka deklaruar se Mali i Zi nuk dëshiron konflikt me Serbinë, por marrëdhënie të mira fqinjësore dhe një politikë të qartë evropiane.

Spajiq, i është përgjigjur presidentit serb Aleksandar Vuçiq, pas akuzave të këtij të fundit se qeveria në Podgoricë po ndjek politikë antiserbe.


Spajiq ka shkruar në platformën ‘X’ se Mali i Zi nuk dëshiron konflikt me Serbinë, por marrëdhënie të mira fqinjësore dhe një politikë të qartë evropiane, të cilën, sipas tij, Vuçiq “nuk dëshiron ta kuptojë”, shkruan Telegrafi.


Ai e kritikoi presidentin serb edhe për qëndrimin ndaj Rusisë.

“Nuk është e përshtatshme që nga pozita që mban të marrë rolin e ‘PR-it të Rusisë’ dhe t'u mbajë të tjerëve leksione për parimësi”, ka shkruar Spajiq, trasnmeton Telegrafi.

Kryeministri malazez ka ngritur edhe çështjen e armëve që përfundojnë në Ukrainë.

“Si është e mundur që Serbia, sipas të dhënave në dispozicion, të jetë një nga burimet më të rëndësishme të armëve dhe municionit për Ukrainën, ndërsa Moskës i dërgon një mesazh dhe Evropës një tjetër?”, pyeti Spajiq, duke akuzuar Beogradin për standarde të dyfishta, transmeton Telegrafi.

Përplasja vjen pasi Vuçiq deklaroi se Podgorica po zhvillon një politikë që synon, sipas tij, “riedukimin” e serbëve në Mal të Zi dhe se dëshiron përkeqësimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ndryshe mediat në Kroaci kanë raportuar se tensionet u shtuan edhe pasi Mali i Zi vendosi të dërgojë një përfaqësues diplomatik në Knin, në shënimin e përvjetorit të operacionit kroat “Oluja”, vendim që Vuçiq e kritikoi ashpër./Telegrafi/.