Aktorja britanike Lucy Davis, e njohur më së shumti për rolin e saj në serialin e famshëm “The Office”, ka bërë të ditur se është diagnostikuar me kancer të gjirit në fazën e katërt, i cili është përhapur në kocka.

Davis, 53 vjeçe, e ndau lajmin me ndjekësit e saj në Instagram, duke pranuar se për një periudhë e kishte mbajtur diagnozën private.


“Para një viti e gjysmë u diagnostikova me kancer gjiri në fazën e katërt, i cili kishte metastazuar në kocka. Është përhapur në shtyllën kurrizore, ijën e djathtë dhe brinjë”, shkroi aktorja krahas një videoje ku shihet duke i rënë ziles në spital.

Ajo shtoi se sëmundja është e pashërueshme dhe se për kimioterapinë tashmë është tepër vonë.

Davis tregoi se ndryshimi që kishte vënë re në trupin e saj ishte shumë i vogël dhe mezi i dallueshëm.

“Nuk ishte një kokërr klasike, më shumë ishte si një pikë e fortë dhe shumë e vogël. Për pak sa nuk shkova ta kontrolloja. Prandaj dua t’ju them – mos injoroni asgjë, kontrolloni absolutisht gjithçka”, u shpreh ajo.

Pavarësisht situatës së vështirë shëndetësore, aktorja tha se po përpiqet ta jetojë jetën me sa më shumë gëzim.

“Në çdo gjë negative më pëlqen të gjej një mësim. Kanceri nuk më ka zhgënjyer në këtë drejtim. Kam mësuar shumë dhe për këtë jam mirënjohëse”, shkroi Davis.

Ajo zbuloi gjithashtu se dhimbjet ndonjëherë bëhen të padurueshme dhe se në raste të caktuara detyrohet të përdorë edhe karrocë me rrota.

Megjithatë, Davis tha se nuk ka frikë nga e ardhmja.

“Jam në paqe me atë që po vjen”, deklaroi ajo, duke shtuar se e gjithë kjo situatë është më e vështirë për familjen e saj sesa për të.

Një tjetër aspekt që aktorja e konsideron të rëndësishëm gjatë këtij procesi është humori.

Ajo u ka kërkuar familjarëve dhe miqve të vazhdojnë të bëjnë shaka me të dhe të mos e trajtojnë si një person të sëmurë.

“Asgjë nuk të bën të ndihesh më i sëmurë sesa kur njerëzit sillen me ty sikur je i sëmurë”, shpjegoi ajo.

Në fund të postimit, Davis përcolli një mesazh mbështetjeje për të gjithë ata që po përballen me sfida të ngjashme.

“Kanceri kërkon shumë prej nesh, si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht. Secili ka të drejtë ta përjetojë këtë në mënyrën e vet”, shkroi ajo.

Lucy Davis është më së shumti e njohur për rolin e Dawn Tinsley në serialin britanik komedik “The Office”, ku interpretoi nga viti 2001 deri më 2003, krahas Ricky Gervais dhe Martin Freeman.

Ajo është vajza e komedianit të njohur britanik Jasper Carrott.

Aktorja është përballur edhe më herët me probleme të rënda shëndetësore. Në vitin 1997, ajo iu nënshtrua një transplanti të veshkës, pasi ishte diagnostikuar me dështim të veshkave. Veshkën ia dhuroi nëna e saj.

Postimi i aktores ka shkaktuar reagime të shumta dhe një valë mesazhesh mbështetëse nga fansat dhe personazhe të njohura.

Emily Clarkson, vajza e prezantuesit televiziv Jeremy Clarkson, i shkroi: “Oh, Lucy. Po të dërgoj gjithë dashurinë time ty dhe familjes sate të mrekullueshme”.

Një tjetër komentues iu referua dëshirës së Davis për të ruajtur humorin gjatë kësaj periudhe: “Me një baba siç ke ti, jam i sigurt se dëshira jote do të përmbushet deri në fund”.

Edhe fansat e saj kanë shprehur mbështetje dhe dashuri.

“Zemra më thyhet. Je një nga aktoret e mia të preferuara. Të uroj gjithë të mirat dhe shumë dashuri”, shkroi një prej ndjekësve. /Telegrafi/