Barcelona pritet të përballet me një verë të nxehtë në afatin kalimtar, teksa drejtuesit e klubit po planifikojnë ndryshime të rëndësishme në skuadër nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick.

Mes emrave që mund të largohen janë portieri Marc-Andre ter Stegen dhe sulmuesi polak Robert Lewandowski.


Kontrata e Lewandowskit skadon në fund të sezonit dhe megjithëse klubi katalanas i ka ofruar rinovim, kushtet e reja përfshijnë një ulje të ndjeshme page dhe një rol jo të garantuar si titullar.

Këto rrethana duket se kanë ndikuar ndjeshëm në vendimin e sulmuesit, i cili sipas gazetarit Guillem Balague, në një raportim për BBC, tashmë ka vendosur të largohet nga Barcelona në fund të muajit qershor.

Pavarësisht moshës 37-vjeçare, Lewandowski besohet se ende e sheh veten si një titullar të denjë në nivelet më të larta të futbollit evropian.

Një transferim në Serie A mbetet një opsion i mundshëm, me interes konkret nga Juventusi dhe Interi.

Nga ana tjetër, largimi i tij mund të jetë në përputhje me strategjinë e Barcelonës, duke marrë parasysh rënien graduale të performancës dhe aspektin fizik të lojtarit.

Gjithashtu, lirimi i pagës së tij do të ndihmonte klubin në balancimin financiar dhe në regjistrimin e përforcimeve të reja gjatë afatit kalimtar veror.

Deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar për të ardhmen e Lewandowskit, ndërsa fokusi i Barcelonës mbetet i përqendruar te objektivat aktualë sportivë, përfshirë garën për titullin në La Liga. /Telegrafi

telegrafi sport app