Bruce Springsteen dhe Tom Morello kanë njoftuar festivalin e protestës “Pushteti për popullin”, i cili do të mbahet më 3 tetor në Columbia, Maryland, një muaj para zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.

Festivali do të mbahet në dy skena në Merriweather Post Pavilion, dhe artistët kryesorë përfshijnë Foo Fighters, Dave Matthews, Brittany Howard dhe Joan Baez. Programi përfshin gjithashtu Dropkick Murphys, Jack Black, Serj Tankian, Killer Mike, Taylor Momsen dhe Linda Lindas.


Springsteen dhe Morello e prezantuan ngjarjen të mërkurën gjatë një performance të përbashkët në Nationals Park në Uashington, ndërsa Springsteen përfundon turneun e tij në SHBA "Land of Hope and Dreams". Festivali cilësohet si një ngjarje kushtuar "lirisë, drejtësisë, barazisë dhe rock 'n' roll-it", me një pjesë të të ardhurave nga biletat që shkojnë për organizatat VoteRiders dhe HeadCount.

- YouTube youtu.be

Në koncert, Springsteen performoi disa nga këngët e tij me përmbajtje politike, duke përfshirë "American Skin (41 Shots)", që flet për një të shtënë fatale nga policia, dhe "Streets of Minneapolis", të cilën e performoi në përgjigje të vrasjeve të Renee Good dhe Alex Pretti nga agjentët federalë të imigracionit. Me atë rast ai tha: "Taktikat e Gestapos të këtij presidenti dhe kësaj administrate nuk do të kalojnë këtu".

Springsteen i tha gjithashtu audiencës se vetëm populli amerikan mund ta ndalojë këtë tragjedi amerikane.

"Askush nuk po vjen të na shpëtojë. Duhet ta bëjmë vetë", duke i kërkuar turmës t'i bashkohet luftës për Amerikën që të gjithë e duan. Në fund, ai udhëhoqi një brohoritje "ICE out!", duke i inkurajuar turmën të çonte zërat e tyre deri në Shtëpinë e Bardhë.

Morello tha në një deklaratë se festivali flet për fuqinë e njerëzve të zakonshëm kur ata bashkohen përmes muzikës, artit, komunitetit dhe veprimit. Springsteen ka qenë prej kohësh kritik ndaj Presidentit Donald Trump, i cili më parë bëri thirrje për bojkotimin e koncerteve të tij dhe e përshkroi atë si një humbës të plotë që përhap urrejtje. /Telegrafi/