LAJMI I FUNDIT:

Besimi: KE-ja thekson për përmirësime në menaxhimin dhe disiplinën fiskale

Besimi: KE-ja thekson për përmirësime në menaxhimin dhe disiplinën fiskale
Financat publike janë solide, si rezultat i përmirësimeve të menaxhimit fiskal në vitet e fundit. Qeveria punon në drejtim të reformave për përmirësimin e të hyrave buxhetore dhe targetimin më të mirë të shpenzimeve, si dhe rritjen e pjesëmarrjes dhe realizimit të shpenzimeve kapitale në shpenzimet e përgjithshme. Me kalimin e viteve, disiplina fiskale është përmirësuar, ndërkohë që Qeveria ka arritur progres të theksuar në fushën e përgatitjes, zbatimit dhe raportimit të buxhetit. Këto janë konstatimet e Komisionit Evropian në draftin e raportit nga skriningu për klasterin e parë – fundamente, në pjesën e menaxhimit të financave publike dhe kritereve ekonomike, temë së cilës ia kushtoi kolumnën e fundit ministri i Financave, Fatmir Besimi.
Në raport theksohet se, miratimi i Ligjit të Buxheteve mundëson zbatimin e reformave më të rëndësishme në buxhetim, me ç’rast rritet qëndrueshmëria fiskale (buxhetimi afatmesëm, Sistemi i Njësuar Informativ për Menaxhimin e Financave Publike – IFMIS, themelimi i këshillit fiskal dhe vendosja e rregullave fiskale). Këtyre reformave u duhet një tempo edhe më e shpejtë dhe që të arrihet reforma gjithëpërfshirëse dhe ambicioze e inkorporuar në Ligjin e ri të Buxheteve, duhet të miratohet plani aksional dhe vendosja e strukturave të reja për të siguruar në kohën e duhur kuadër adekuat në njësitë kryesore reformuese në Ministrinë e Financave, DAP dhe Drejtorinë Doganore.
 
“Për adresimin e të gjitha sfidave të përcaktuara përmes diagnostikimit të organizatave ndërkombëtare (PEFAPIMATADATSIGMA) është krijuar Programi i reformave të financave publike ose Financat publike SMART”Kjo strategji përfshin reforma në kontrollin e brendshëm financiar publikprokurimet publikerevizionin dhe menaxhimin e financave publikerespektivisht të gjitha aspektet e vlerësuara nga Bashkimi Evropian”, shkruan Besimi.
 
Më tej ministri thekson se, një nga reformat më të mëdha në financat publike është zbatimi i Sistemit të Njësuar Informativ për Menaxhimin e Financave Publike – IFMIS, i cili do të përmirësojë efikasitetin, përmes lidhjes së sistemeve të fragmentuara në financat publike, do të sjellë parashikueshmëri dhe kontroll më të madh në zbatimin e buxhetit. “Është përgatitur dokumentacioni funksional dhe teknik për projektin dhe janë siguruar mjetet për zbatim, ndërsa Ministria e Financave në bashkëpunim me Bankën Botërore është në fazën përfundimtare të përgatitjes së prokurimeve publike për zhvillimin dhe zbatimin e IFMIS-it”, shkruan Besimi në kolumnë.
 
Në raport theksohet se, kontabiliteti dhe raportimi janë pikat e forta të sistemit të menaxhimit të financave publike, ndërsa transparenca e realizimit të buxhetit është rritur përmes platformës Open Finance dhe mund të avancohet në këtë drejtim. Ndër konkluzionet e tjera, që janë në sferën e kompetencave të Ministrisë së Financave, KE-ja vlerëson se korniza juridike për prokurimet publike ka nivel të lartë të harmonizimit me legjislacionin e BE-së. Korniza juridike për kontrollin e brendshëm financiar publik është kryesisht adekuate, por nevojitet edhe miratimi i ligjit të ri, i cili është përgatitur nga Ministria e Financave.
Në draftin e raportit të skriningut, KE-ja thekson gjithashtu se gjatë krizës energjetike të vitit 2022, politika fiskale dhe monetare reaguan në mënyrë përkatëse dhe të mirëkoordinuar, ndërkohë që u ruajt stabiliteti makroekonomik.
Në përgjithësi, KE-ja konsideron se, Maqedonia e Veriut është në rrugën e duhur në zhvillimin e ekonomisë funksionale të tregut, si dhe se reformat e miratuara gjatë Dialogut ekonomik dhe financiar ndërmjet BE-së, vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë duhet të vazhdojnë.
Një pjesë e konsiderueshme e reformave të nevojshme janë realizuar, mirëpo ka ende reforma që duhet të realizohen gjatë negociatave, por edhe si vend anëtar i BE-së në të ardhmen. ““Udhëtimi është po aq i rëndësishëm sa destinacioni” – Negociatat e aderimit po na përgatisin për të përvetësuar kondicion reformues që na duhet jo vetëm për të hyrë në BE, por edhe më pas si vend anëtar i saj”, thekson në kolumnë, ministri i Financave, Besimi. /Telegrafi/