Bajram Begaj trazon Serbinë me vizitën në Preshevë e Bujanovc


Vizita e presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, në Bujanovc dhe Preshevë, ka nxitur reagime të shumta në skenën politike serbe, ku përfaqësues të opozitës, sidomos, por edhe subjekte të tjera kanë kritikuar mënyrën e organizimit të saj dhe qëndrimin e “heshtur” të autoriteteve shtetërore të Beorgadit në lidhje me këtë ngjarje.
Kryetari i Lëvizjes Popullore të Serbisë (NPS), Miroslav Aleksiq, tha gjatë një adresimi në Kuvendin e këtij shtetit se nuk ka asgjë kundër vizitave të liderëve të huaj te pakicat kombëtare, ndërsa akuzoi pushtetin se dështoi në garantimin e sovranitetit t Serbisë.
"A është Serbia shtet sovran apo jo?", pyeti ai duke kritikuar edhe faktin që, sipas tij, Begaj nuk vizitoi Beogradin, siç kishte bërë kryeministri Edi Rama më parë. "Ajo që po bëni është një rrezik i madh, sepse tregoni se Serbia nuk mund të mbrojë as minimumin e sovranitetit që ka", raporton Danas, përcjellë KosovaPress.
Aleksiq ka kritikuar edhe sic ka thënë, mediet pro regjimit në Serbi, që nuk e kanë thënë asnjë fjalë për këtë vizitë.
Deputeti i së njëjtës parti, Aleksandar Ivanoviq, kërkoi sqarime për mënyrën e sigurimit të presidentit shqiptar gjatë vizitës në Bujanoc, teksa tregoi një fotografi gjatë pritjes që iu bë Begajt këtu, e ku sipas tij, u panë njerëz të dyshimtë.
"Në këto fotografi nuk ka policinë tonë, në ndërtesën e komunës është vendosur flamuri shqiptar dhe kjo është një çështje shumë serioze", deklaroi ai. “Nëse kishte nevojë për sigurim të armatosur, atëherë duhej të ishin policët tanë, nga njësitë tona".
Kryetari i Partisë së Re Demokratike të Serbisë (DSS), Millosh Jovanoviq, e interpretoi vizitën e Begajt si pjesë të aspiratave kombëtare shqiptare.
“Kjo tregon se shqiptarët nuk heqin dorë nga ideja e të ashtuquajturës Shqipëri natyrale", tha ai. ndërsa shtoi se "pas Kosovës vjen ajo që ata e quajnë 'Kosova Lindore', e më pas do të vijnë në rend dite edhe rajoni i Rashkës dhe Vojvodina".
Pa reaguar nuk mbeti as Lidhja Monarkiste – Lëvizja për Mbretërinë e Serbisë, e cila akuzoi autoritetet shtetërore për dështim në mbrojtjen e sovranitetit.
Bashkëkryetari i saj, Nenad Tomasheviq, e cilësoi vizitën "një turp të paprecedentë për Serbinë", duke shtuar se "Serbisë i duhet një pushtet që do të mbrojë me përpikëri sovranitetin, dinjitetin kombëtar dhe interesat shtetërore".
Begaj ka qëndruar për vizitën në Preshevë e Bujanoc, të mërkurën.
“I inkurajova liderët politikë të kësaj treve të bashkohen sa herë bëhet fjalë për interesin kombëtar, për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka thënë me një postim në Facebook, për këtë vizitë, transmeton KosovaPress. “Si President i Republikës së Shqipërisë, u garantova mbështetjen e Shqipërisë për adresimin e çështjes së Luginës së Preshevës, përfaqësimin e drejtë në institucione, shqetësimin për pasivizimin e adresave, si dhe të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare dhe të simboleve kombëtare”.
































