Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar se operacionet ushtarake izraelite kanë shkaktuar shkatërrime të mëdha në Rripin e Gazës dhe në disa zona të Libanit.

Sipas Katz, rreth 70 për qind e territorit të Gazës është shkatërruar.


Ai tha se forcat izraelite nuk kanë goditur vetëm strukturat nëntokësore, por edhe ndërtesat dhe shtëpitë mbi tokë.

"Ne në Gaza nuk shkatërrojmë vetëm atë që ndodhet nën tokë, por edhe të gjitha shtëpitë", deklaroi Katz.

Ai gjithashtu foli për 24 fshatra në jug të Libanit, duke thënë se janë shkatërruar plotësisht ndërtesat në këto zona. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për dëmtime të pjesshme, por për shkatërrim të plotë të fshatrave.

Katz pretendoi se në këto 24 fshatra janë shkatërruar mes 15 mijë dhe 20 mijë shtëpi.

Deklaratat vijnë në një kohë kur lufta në Gaza dhe përplasjet mes Izraelit dhe grupit Hezbollah në kufirin me Libanin kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe një krizë të rëndë humanitare. /Telegrafi/