Komuna e Prishtinës reagon pas rrëzimit të vinçit që la të vdekur një 26-vjeçar

Komuna e Prishtinës ka reaguar pas aksidentit tragjik në një vendpunishte ndërtimore në rrugën “Holger Petersen”, ku si pasojë e rrëzimit të një vinçi humbi jetën një 26-vjeçar, ndërsa një tjetër punëtor mbeti i lënduar.
Në reagimin e saj, Komuna e Prishtinës ka shprehur pikëllimin e thellë për rastin dhe ka dërguar ngushëllime për familjen, kolegët dhe të afërmit e viktimës.
“Kryeqyteti shpreh pikëllimin e thellë për aksidentin tragjik të ndodhur sot në një vendpunishte ndërtimore në rrugën ‘Holger Petersen’, ku si pasojë e rrëzimit të një kranoje një punëtor ka humbur jetën, ndërsa një punëtor tjetër ka pësuar lëndime të rënda dhe, sipas informatave nga ekipet mjekësore, ndodhet në gjendje të rëndë, por stabile, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Komuna ka bërë të ditur se menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë intervenuar institucionet përgjegjëse, përfshirë Brigadën Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit të Kryeqytetit, Policinë e Kryeqytetit, Njësinë për Reagim të Shpejtë dhe Siguri, ekipet e Urgjencës Mjekësore dhe Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca.
Sipas Komunës, ekipet emergjente kanë vepruar me koordinim të plotë dhe profesionalizëm për menaxhimin e situatës, shpëtimin e personave të përfshirë dhe sigurimin e vendit të ngjarjes.
“Kryeqyteti falënderon secilin pjesëtar të shërbimeve emergjente për angazhimin, guximin dhe profesionalizmin e treguar në këtë ndërhyrje jashtëzakonisht të vështirë”, thuhet në reagim.
Lidhur me shkaqet dhe rrethanat e aksidentit, Komuna ka bërë të ditur se, sipas Policisë së Kosovës, njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Komuna e Prishtinës ka theksuar gjithashtu rëndësinë e respektimit të standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në punë në vendpunishtet ndërtimore, me qëllim të parandalimit të rasteve të ngjashme dhe mbrojtjes së jetës së punëtorëve dhe qytetarëve./Telegrafi.






































