LAJMI I FUNDIT:

Bastisjet në veri, Banjska ka ndryshuar shumëçka

Bastisjet në veri, Banjska ka ndryshuar shumëçka

Veprimet huligane që i bënë 13 muaj më parë në veri mbase mund t’i kenë harruar.

Por, për ngjarjet e dhjetorit të vitit 2022 po hetohen si të dyshuar nga Policia e Kosovës së paku dy persona, njëri nga Banjska e Zveçanit e tjetri nga Luzhista e Leposaviqit.


Njësiti për hetimin e krimit të organizuar, zbarkoi në shtëpitë e lokalet tyre të enjten, ani se të njëjtit nuk i gjeti aty.

“Ka të bëjë me hetimet të cilat janë duke u zhvilluar për barrikadat e vitit 2022. Ne kemi ofruar asistencë. Bastisjet janë kryer. Nuk ka pasur të arrestuar”, thotë Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut.

Bastisje në veri, sekuestrohen armë, telefona e dokumente
Lexo po ashtu Bastisje në veri, sekuestrohen armë, telefona e dokumente

Forcat e rendit nga pronat konfiskuan një pushkë gjuetie e një ajrore, dy telefona, një tytë tromblloni, pastaj dy CD, disa dokumente, një bateri e dorës dhe një këllëf të armës.

E lufta kundër krimit dhe mbarëvajtja e rendit kushtetues këndej sipas Elshanit, ka ndryshuar pas sulmit 24 shtatorit.

“Banjska i ka ndryshuar shumë gjëra këtu. Edhe qytetarët këtu e kanë kuptuar se ne punën tonë do ta kryejmë. Kështu më mirë është që të kryhet siç duhet se sa të kemi probleme. Nëse ka probleme merremi me to. Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme”, shprehet ai.

Policia e Kosovës siç thotë zëvendësdrejtori për veri është e gatshme për çdo skenar dhe operon nëpër çdo pëllëmbë të tokës, deri në skajin më verior të Republikës.