Barcelona ka nisur lëvizjet konkrete për të siguruar shërbimet e sulmuesit argjentinas Lautaro Martinez, ndërsa kontaktet e para me Interin tashmë janë vendosur.

Klubi katalanas po kërkon me prioritet një qendërsulmues të ri për të rindërtuar repartin ofensiv pas largimit të veteranit polak Robert Lewandowski.


Sipas raportimeve, Barcelona e ka admiruar prej kohësh kapitenin e Interit, ndërsa interesimi për të është rikthyer fuqishëm pas sezonit mbresëlënës që argjentinasi zhvilloi në Itali.

Martinez ishte një nga lojtarët kyç në suksesin e Interit në Serie A, duke e udhëhequr skuadrën drejt titullit kampion me paraqitje të nivelit të lartë.

Sulmuesi 28-vjeçar realizoi 22 gola dhe kontribuoi me 6 asistime në të gjitha garat, duke konfirmuar statusin e tij si një nga sulmuesit më të kompletuar në Evropë.

Megjithatë, një marrëveshje nuk pritet të jetë e lehtë për Barcelonën, Interi e konsideron Lautaron një figurë qendrore të projektit sportiv dhe nuk ka ndërmend ta lërë të largohet pa një ofertë të rëndësishme financiare.

Nga ana tjetër, Barcelona po punon për të ulur moshën mesatare të skuadrës dhe për të ndërtuar një ekip konkurrues për vitet e ardhshme. Lautaro Martinez shihet si një lider në fushë dhe një lojtar që mund të përshtatet menjëherë me filozofinë sulmuese të klubit blaugrana.

Në javët e ardhshme pritet të ketë zhvillime të reja rreth këtij operacioni, ndërsa tifozët e Barcelonës po ëndërrojnë një repart ofensiv të udhëhequr nga sulmuesi argjentinas. /Telegrafi/

telegrafi sport app