Arsenali ka marrë një fitore tejet të rëndësishme ndaj Burnleyt me rezultat 1-0, duke bërë një tjetër hap gjigant drejt titullit në Ligën Premier.

“Topçinjtë” dominuan pjesën më të madhe të takimit në “Emirates”, duke treguar kontroll, qarkullim të mirë të topit dhe vazhdimësi në lojën sulmuese.


Skuadra e Mikel Artetës e nisi ndeshjen me ritëm të lartë dhe krijoi raste të mira që në minutat e para.

Në minutën e 14-të, Kai Havertz u gjet në pozitë të favorshme pas një pasimi të zgjuar nga Leandro Trossard, por goditja e tij shkoi ngushtë pranë shtyllës.

Vetëm një minutë më vonë, Trossard ishte shumë pranë golit pasi goditi shtyllën me një tentativë të fuqishme nga distanca.

Burnley tentoi të reagojë përmes kundërsulmeve, por Arsenal vazhdoi të ushtrojë presion dhe të dominojë posedimin.

Momenti vendimtar i ndeshjes erdhi në minutën e 37-të. Pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar në mënyrë perfekte nga Bukayo Saka, Kai Havertz u ngrit më lart se të gjithë në zonë dhe realizoi me kokë për 1-0.

Pas golit, londinezët vazhduan të kontrollojnë lojën dhe nuk lejuan Burnleyn të krijojë raste serioze. Në pjesën e dytë, Arsenali ishte afër golit të dytë kur Eberechi Eze fillimisht goditi traversën, ndërsa më pas pa një tjetër tentativë të largohej nga mbrojtja mysafire mbi vijën fatale.

Burnley luftoi deri në fund dhe provoi të ushtrojë presion në minutat e fundit, por organizimi defensiv i Arsenalit ishte i pakalueshëm.

Skuadra e Artetës menaxhoi në mënyrë profesionale epërsinë minimale dhe siguroi tri pikë jashtëzakonisht të vlefshme në garën për titull.

Me këtë fitore, Arsenali i afrohet më shumë se kurrë triumfit në Ligën Premier, duke vazhduar formën mbresëlënëse dhe duke rritur presionin ndaj rivalëve direkt në krye të tabelës. /Telegrafi/

telegrafi sport app