Autoritetet amerikane më në fund e lejojnë yllin zviceran të udhëtoj dhe t’i bashkohet kombëtares në Kupën e Botës

Sulmuesi zviceran, Breel Embolo, do t'i bashkohet shokëve të ekipit kombëtar në Kupën e Botës në Shtetet e Bashkuara, pasi u zgjidhën problemet e tij me vizën.
Ekipi kombëtar zviceran u nis për në Shtetet e Bashkuara të martën pa Embolon, pasi autoritetet amerikane e pezulluan ‘ESTA’-n e tij për shqyrtim shtesë. ESTA është pjesë e një sistemi të automatizuar që kontrollon nëse një person i plotëson kërkesat për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.
Embolo e paraqiti rastin e tij në një takim në ambasadën amerikane në Bernë të mërkurën dhe tashmë ka ardhur aprovimi i vizës së tij për të udhëtuar drejt SHBA-ve.
“Jemi informuar se Breel Embolos i është dhënë viza dhe do të jetë në gjendje të udhëtojë për në SHBA. Presim që ai t'i bashkohet ekipit të premten në mbrëmje", thuhet në njoftimin e Federatës Zvicerane të Futbollit.
Ndryshe, Embolo ka bërë 86 paraqitje me fanellën e ekipit kombëtar zviceran dhe ka shënuar 24 gola duke qenë një lojtar i rëndësishëm i Helvetikëve tash e sa vite.

Sezonin e fundit, ai shënoi 10 gola për Rennes në Ligue 1, dhe më herët në karrierën e tij luajti për Baselin, Schalken, Borussia Monchengladbach dhe Monacon.
Në Kupën e Botës, Zvicra është në një grup me Kanadanë, Katarin dhe Bosnjën dhe Hercegovinën, dhe në ndeshjen e parë më 13 qershor, ata do të luajnë kundër Katarit. /Telegrafi/




































