Autobusi i linjës 4 merr pamjen e Sunny Hill Festival para nisjes së edicionit të ri


Edhe pak javë na ndajnë nga nisja e Sunny Hill Festival, festivalit më të madh të muzikës, i cili mbahet në Bërnicë të Poshtme, pranë Prishtinës.
Edicioni i sivjetmë do të nisë më 31 korrik dhe do të vazhdojë më 1 dhe 2 gusht, duke sjellë në Kosovë disa nga emrat më të mëdhenj të skenës ndërkombëtare.
Katy Perry, Lewis Capaldi, Martin Garrix, PAWSA, Adam Port, Rampa dhe Seth Troxler janë vetëm disa prej artistëve që do të ngjiten në skenën e festivalit.
Teksa kanë mbetur edhe pak javë deri në nisjen e festivalit, autobusi i linjës 4 në Prishtinë është zbukuruar me ngjyrat karakteristike të Sunny Hill Festival, ku bie në sy edhe dielli simbolik që e përfaqëson festivalin.

Në autobus është vendosur edhe slogani "Shihemi në kodër", së bashku me datat e mbajtjes së festivalit.
Ashtu si në edicionet e kaluara, autobusët e transportit publik do t'i dërgojnë vizitorët dhe fansat në lokacionin ku mbahet festivali.
Prishtina pritet të marrë një atmosferë krejtësisht festive në ditët para nisjes së festivalit, ndërsa mijëra adhurues të muzikës mezi presin fillimin e një tjetër edicioni të Sunny Hill Festival.
Biletat e rregullta janë ende në shitje dhe mund të blihen përmes uebfaqes zyrtare sunnyhillfestival.com.











































