Tadej Pogacar hyn në histori me triumfin e pestë në Tour de France

Tadej Pogacar ka shkruar një tjetër kapitull të artë në historinë e çiklizmit, duke fituar për herë të pestë Tour de France dhe duke u bashkuar me një grup legjendash që për dekada dukej i paarritshëm.
Slloveni 27-vjeçar triumfoi në edicionin e vitit 2026, duke siguruar fitoren e tretë radhazi në garën më prestigjioze të çiklizmit dhe duke barazuar rekordin e pesë fitoreve të mbajtur nga Jacques Anquetil, Eddy Merckx, Bernard Hinault dhe Miguel Induráin.
Arritja e Pogacarit bëhet edhe më e jashtëzakonshme kur krahasohet me legjendat e këtij sporti. Miguel Indurain ishte 31 vjeç kur fitoi Tour de France-in e tij të pestë, ndërsa Merckx e arriti këtë shifër në moshën 29-vjeçare. Anquetil dhe Hinault e realizuan në moshën 30-vjeçare.
Pogacar e ka bërë këtë vetëm në moshën 27-vjeçare, duke konfirmuar se është një nga çiklistët më dominues që ka njohur ndonjëherë ky sport. Ai ka fituar Tour de France në vitet 2020, 2021, 2024, 2025 dhe 2026.

Një kampion që zgjodhi të ndihmonte shokun e skuadrës
Pavarësisht dominimit të tij, një nga momentet më të veçanta të këtij edicioni nuk ishte një fitore etape.
Në etapën mbretërore drejt Alpe d'Huez, Pogačar hoqi dorë nga mundësia për një tjetër triumf individual dhe vendosi të ndihmonte shokun e skuadrës, Isaac del Toro, që të siguronte vendin e tretë në renditjen e përgjithshme.
Të dy kaluan vijën e finishit krah për krah, në një skenë që u konsiderua një nga momentet më emocionale të këtij Touri.
“Më dridhet trupi sa herë e kujtoj. Do ta mbaj mend përgjithmonë këtë moment”, tha Pogacar pas garës.

“Isaac mund të jetë pasardhësi im”
Deklarata që bëri më shumë bujë erdhi pas përfundimit të garës. Edhe pse është vetëm 27 vjeç dhe konsiderohet në kulmin e karrierës, Pogacar la të kuptohet se nuk planifikon të garojë për shumë vite.
“Nuk do të garoj edhe për shumë gjatë dhe Isaac ka potencialin dhe talentin për të qenë pasardhësi im”, deklaroi kampioni slloven.
Këto fjalë surprizuan botën e çiklizmit, pasi Pogacar ka kontratë me ekipin UAE Team Emirates deri në vitin 2030 dhe shumica besojnë se ai ka ende shumë vite në nivelin më të lartë.
🎤 "Thank you everyone, let's party tonight!"
💛 A message of thanks from the five-time Tour de France winner.
🎤 "Merci à tous, maintenant place à la fête !"
💛 Les remerciements du quintuple vainqueur du Tour de France. #TDF2026 pic.twitter.com/7ODD0aJWyH
— Tour de France™ (@LeTour) July 26, 2026
Një Tour i fituar me autoritet
Pogačar dominoi pothuajse nga fillimi deri në fund. Ai fitoi pesë etapa, mori fanellën e verdhë që në javën e parë dhe nuk lejoi asnjë rival ta vinte seriozisht në diskutim epërsinë e tij.
Në podiumin final në Paris, pas tij u renditën Remco Evenepoel në vendin e dytë dhe Isaac del Toro në vendin e tretë.
Me pesë fitore në etapa këtë vit, Pogačar e çoi në 26 numrin total të etapave të fituara në Tour de France.
Tadej Pogacar continues to write his name into the history books 📝 pic.twitter.com/K5W2Xvm8CP
— Cycling on TNT Sports (@cyclingontnt) July 26, 2026
Historia ende nuk ka përfunduar
Edhe pse ka hyrë tashmë në panteonin e legjendave të çiklizmit, Pogacar ka ende objektiva të mëdhenj përpara.
Një triumf i gjashtë në Tour de France do ta bënte çiklistin më të suksesshëm në historinë e garës, ndërsa në listën e synimeve të tij mbeten edhe Vuelta a España, Paris–Roubaix dhe medalja olimpike.
Megjithatë, në ditën kur u ngjit për herë të pestë në majën e Tour de France-it, Pogacar nuk foli vetëm për fitoret, por edhe për fundin e karrierës dhe për njeriun që, sipas tij, mund të marrë një ditë stafetën.
Një deklaratë që e bëri triumfin e tij historik edhe më të veçantë. /Telegrafi/











































