Aprilia Racing ka përmbyllur në mënyrën më të mirë fundjavën në Silverstone, duke siguruar një tjetër podium tërësisht të dominuar nga pilotët e saj në garën e gjatë të MotoGP-së.

Raul Fernandez i ekipit SuperFile Trackhouse MotoGP triumfoi në mënyrë bindëse, pasi e mori kryesimin që nga kthesa e parë dhe nuk e lëshoi atë deri në vijën e finishit.


Spanjolli e mbylli garën përpara bashkëkombësit të tij, Jorge Martin, dhe Marco Bezzecchit, duke i dhënë Aprilias një triumf të trefishtë në podium.

Martin e nisi garën nga pole position, por një nisje jo e mirë bëri që të humbte disa pozita. Megjithatë, piloti spanjoll reagoi shpejt dhe arriti të rikthehej në vendin e dytë.

Ky ishte podiumi i gjashtë i sezonit për Martin dhe i 38-ti në kategorinë elitare të MotoGP-së. Me 240 pikë, ai vazhdon të kryesojë renditjen e përgjithshme të kampionatit.

Bezzecchi, i cili e nisi garën nga pozita e pestë, pati një start shumë të mirë dhe menjëherë u fut në grupin e parë.

Pavarësisht se ende është duke u rikuperuar nga lëndimet e pësuara në Sachsenring, italiani arriti ta mbrojë pozitën e tij deri në fund dhe e kaloi vijën e finishit në vendin e tretë.

Për Bezzecchin ky ishte podiumi i shtatë i sezonit dhe i 25-ti në kategorinë kryesore. Rezultati e riktheu atë në vendin e dytë të renditjes së kampionatit me 209 pikë.

Ylli i ditës ishte padyshim Raul Fernandez. Piloti spanjoll zhvilloi një garë të jashtëzakonshme, duke udhëhequr nga kthesa e parë deri në fund dhe duke regjistruar një fitore të merituar.

Ky sukses i dha Aprilia Racing podiumin e tretë të plotë të sezonit në një Grand Prix, pas triumfeve të ngjashme në Le Mans dhe Assen.

Gjithashtu, kjo ishte fitorja e shtatë e Aprilias në MotoGP këtë sezon dhe e 15-ta në kategorinë elitare.

Fitorja e Fernandezit solli edhe një statistikë të veçantë për Aprilian, pasi tashmë çdo pilot i kësaj marke në startin e MotoGP-së ka arritur të fitojë të paktën një Grand Prix gjatë këtij sezoni.

Me këtë sukses, prodhuesi nga Noale ka arritur në kuotën e 309 fitoreve në Kampionatin Botëror.

Ndërkohë, pilotët e Aprilias vazhdojnë të zënë tri pozitat e para në renditjen e përgjithshme, me Jorge Martinin në krye, i ndjekur nga Marco Bezzecchi dhe Ai Ogura.

Pas garës, Martin u shpreh i kënaqur me ritmin e treguar, duke pranuar se gabimi i vetëm ishte nisja.

“Jam shumë i lumtur. Ky është ritmi që po kërkonim dhe mendoj se sot dolëm nga një periudhë kur kishim humbur paksa rrugën. Tani jemi rikthyer, kryesisht sepse iu kthyem gjërave që funksiononin më parë dhe që vazhdojnë të funksionojnë për ne”, tha Martin.

“Gabimi në këtë garë ishte nisja ime. Nuk u nisa mirë dhe në kthesën e parë isha shumë optimist duke tentuar ta mbaja pozitën. Për pasojë, nuk frenova mjaftueshëm fort, pajisja e lartësisë së motorit nuk u rikthye në pozicionin e saj dhe humba disa vende. Gjëja pozitive është se mund të luftoj për fitore dhe kjo më jep shumë besim”, shtoi ai.

Edhe Bezzecchi ishte i emocionuar me rezultatin, duke theksuar punën e madhe të ekipit.

“E doja aq shumë këtë rezultat, saqë nuk mund të dorëzohesha. Jo pas gjithë punës që ka bërë ekipi dhe gjithë përpjekjeve që kam bërë gjatë pushimit veror. Ishte fantastike dhe u argëtova shumë”, deklaroi italiani.

“Ekipi luajti një rol vendimtar, së bashku me të gjithë ata që kanë qenë pranë meje. Mendoj se kanë bërë një punë të jashtëzakonshme dhe jo vetëm këtë fundjavë. Të gjithë në Noale kanë qenë fantastikë”, shtoi Bezzecchi.

Aprilia në Kosovë përfaqësohet nga Ventoro Motors by Auto Mita.

Drejtori i Aprilias, Massimo Rivola, e cilësoi fundjavën si pothuajse perfekte.

“Një fundjavë pothuajse perfekte në një pistë që gjithmonë ka qenë e mirë për ne. Urime Raulit, Justin Marksit dhe ekipit të tij SuperFile Trackhouse MotoGP, të cilët po na mbështesin teksa zhvillojmë projektin tonë në MotoGP”, tha Rivola.

“Është fantastike të shohësh se etja për fitore në Noale nuk është zbehur. Edhe këtu sollëm përditësime teknike. Ishte e mrekullueshme ta shihnim Jorgen duke vozitur me kaq lehtësi dhe besim, ndërsa Marco meriton shumë lëvdata pasi gjeti rezerva energjie që nuk do t'i mendonit të ishin të mundshme”, shtoi ai./Telegrafi/

telegrafi sport app