Marco Bezzecchi u rikthye te fitorja në MotoGP, duke triumfuar në Çmimin e Madh të Italisë në Mugello dhe duke e zgjeruar epërsinë e tij në kampionat. Piloti italian i Aprilia Racing kryesoi një fundjavë perfekte për skuadrën nga Noale, me Aprilian që e mbylli garën me rezultat 1-2, pasi shoku i ekipit, Jorge Martin, përfundoi i dyti.

Bezzecchi bëri nisje më të mirë sesa në sprintin e së shtunës dhe, ndonëse Martin tentoi të marrë komandën në fillim, italiani e rimori shpejt kryesimin në xhiron e parë, pas daljes nga Borgo San Lorenzo. Gara mori kthesë herët edhe për fituesin e sprintit, Raul Fernandez, i cili doli praktikisht jashtë garës pasi frenoi shumë vonë në kthesën e parë dhe humbi shumë pozita.


Në xhirot e para, Francesco Bagnaia arriti të ngjitej në vendin e dytë, fillimisht duke kaluar Martin, e më pas – në një moment – edhe duke marrë kryesimin nga Bezzecchi, duke ndezur entuziazmin e tifozëve në Mugello dhe kujtimet e dominimit të Ducatit në këtë pistë. Por Bezzecchi ruajti qetësinë, menaxhoi gomat dhe qëndroi i ngjitur pas Bagnaias, duke pritur momentin e duhur për sulm.

Ky moment erdhi në xhiron e 14-të nga 23, kur Bezzecchi, pas një sektori final shumë të fortë dhe me një avantazh shpejtësie në vijë të drejtë, e kaloi Bagnaian dhe u shkëput menjëherë në krye. Dy xhiro më vonë, edhe Martin e kaloi pilotin e Ducatit, duke e kompletuar 1-2 për Aprilian dhe duke e lënë Bagnaian në një betejë të vështirë për ta mbajtur podiumin në xhirot e fundit.

Ducati u vu nën presion të madh nga Ai Ogura, i cili u afrua shpejt në dy xhirot e fundit dhe tentoi parakalimin vendimtar në kthesën e fundit. Por Ogura e teproi dhe doli jashtë trajektores, ndërsa Bagnaia e shfrytëzoi rastin dhe ia doli ta mbajë vendin e tretë, duke siguruar podiumin vendas.

Pas Ogurës u rendit Fabio Di Giannantonio, i cili u detyrua të rikuperohej pas një starti të dobët. Në garë pati edhe duele të forta në mesin e renditjes, ku Marc Marquez, pavarësisht problemeve fizike, u mbrojt gjatë ndaj Pedro Acostës dhe disa pilotëve të tjerë, para se spanjolli i KTM ta kalonte përfundimisht në xhiron e 16-të.

Në fund, Acosta dhe Marquez përfunduan përkatësisht në vendin e gjashtë dhe të shtatë, ndërsa Raul Fernandez u desh të pajtohej me një vend të tetë pas gabimit në nisje.

Me këtë fitore në Mugello, Bezzecchi jo vetëm që mori një sukses të madh në garën e shtëpisë, por edhe forcoi pozitat në krye të kampionatit, ndërsa Aprilia konfirmoi se këtë sezon është një nga forcat kryesore në MotoGP.

Aprilia në Kosovë përfaqësohet nga Ventoro Motors by Auto Mita.

Mezzecchi ka një epërsie prej 17 pikësh në garën për titull ndaj shokut të skuadrës Martin, ndërsa takim i radhës është në Hungari. /Telegrafi/

telegrafi sport app