Arteta i kërkon Arsenalit transferimin e yllit të madh të Serie A

Arsenali ka përfshirë Nico Pazin, mesfushorin ofensiv 21-vjeçar të Comos, në listën e prioriteteve për afatin e ardhshëm të transferimeve, me kërkesë të drejtpërdrejtë të trajnerit Mikel Arteta.
Sipas informacioneve të publikuara nga Sami Mokbel në BBC, drejtuesit e Arsenalit po monitorojnë nga afër paraqitjet e reprezentuesit argjentinas, me synimin për të përforcuar krahun e majtë të sulmit. Arsenali dështoi të sigurojë shërbimet e Pazit apo të Morgan Rogers gjatë afatit kalimtar të verës së vitit 2026.
Paz u transferua përfundimisht te Como në verën e vitit 2025, nën drejtimin e Cesc Fabregas, pasi Jose Mourinho vendosi të mos e rikthente atë te Real Madridi.
Klubi spanjoll i shiti klubit italian përqindjen që zotëronte mbi kartonin e lojtarit, por ruajti një klauzolë riblerjeje, duke i mundësuar Real Madridit ta rikthejë futbollistin në të ardhmen.
Edhe pse Paz preferoi të qëndronte në Serie A edhe këtë sezon, Interi tentoi ta transferonte gjatë verës dhe paraqiti oferta zyrtare për të bindur Comon, por marrëveshja nuk u konkretizua para mbylljes së afatit kalimtar.
Megjithatë, drejtuesit e Arsenalit vazhdojnë ta kenë argjentinasin në listën e tyre të dëshirave, veçanërisht për shkak të aftësisë së tij për të luajtur si mesfushor ofensiv, por edhe në krahun e majtë të sulmit.
Kërkimi i Arsenalit për një lojtar me profil ofensiv lidhet edhe me nevojën për të krijuar konkurrencë të brendshme për Martin Odegaard. Kontrata e kapitenit norvegjez me klubin londinez skadon në qershor të vitit 2028.

Drejtuesit e Arsenalit po punojnë për rinovimin e kontratës së Odegaard, por njëkohësisht e konsiderojnë të rëndësishme që të kenë një alternativë të nivelit të lartë në rolin e organizatorit të lojës.
Pasi nuk arriti të realizojë një transferim për këtë pozicion deri në shtatorin e vitit 2026, stafi teknik i drejtuar nga Arteta pritet të nisë kontaktet për Paz në afatin kalimtar të vitit 2027.
Argjentinasi shihet si një profil që mund t'i japë Arsenalit më shumë alternativa në repartin ofensiv, ndërsa klubi londinez tashmë po përgatit terrenin për një lëvizje të mundshme në të ardhmen./Telegrafi/












































