BBC ka zbuluar detaje interesante nga planet e Arsenalit gjatë afatit kalimtar të verës. Kampionët në fuqi të Anglisë kishin përpiluar një listë me 21 lojtarë, të cilët po monitoroheshin si objektiva të mundshëm për përforcimin e skuadrës së Mikel Artetës.

Në këtë listë figuronin disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit evropian, përfshirë Vinicius Junior, Julian Alvarez, Sandro Tonali, Kenan Yildiz, Joao Pedro dhe disa lojtarë të tjerë të nivelit të lartë.


Arsenali synonte të shfrytëzonte edhe situatën te klubet rivale pas triumfit në Premier League, ndërsa prioriteti kryesor ishte transferimi i një sulmuesi elitar.

Arsenali ishte gati të thyente rekordin britanik për Viniciusin

Transferimi që mund të kishte qenë më spektakolari ishte ai i Vinicius Juniorit. Sipas BBC-së, trajneri Mikel Arteta dhe drejtori sportiv Andrea Berta besonin seriozisht se ekzistonte mundësia për ta transferuar brazilianin nga Real Madridi, në një kohë kur kishte pasiguri rreth të ardhmes së tij në “Santiago Bernabéu”.

Arsenali ishte i gatshëm të financonte atë që do të ishte transferimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit britanik, si dhe t'i ofronte Viniciusit një kontratë të jashtëzakonshme. Në klub besonin se ndikimi i brazilianit, si në fushë ashtu edhe në aspektin komercial, do ta justifikonte një investim të tillë.

Megjithatë, në Arsenal ekzistonin edhe dyshime se interesi i tyre mund të ishte përdorur si pjesë e negociatave të Viniciusit me Real Madridin. Në fund, braziliani qëndroi në Madrid dhe nënshkroi një kontratë të re afatgjatë me klubin spanjoll.

Një tjetër objektiv madhor ishte Julian Alvarez. Arsenali e kishte ndjekur argjentinasin prej një kohe të gjatë, por ai nuk shfaqi shumë dëshirë për t'u rikthyer në Angli. Preferenca e tij ishte Barcelona, por Atletico Madridi nuk ishte i gatshëm ta shiste te klubi katalanas. Arsenali shpresonte se kjo situatë mund ta ndryshonte qëndrimin e Alvarezit, por sulmuesi përfundimisht qëndroi në Madrid.

Rogers ishte zgjedhja e parë

Megjithatë, objektivi kryesor i Arsenalit në fillim të afatit kalimtar ishte Morgan Rogers. Aston Villa fillimisht e vlerësoi anglezin rreth 115 milionë euro, ndërsa Arsenali besonte se vlera e tij ishte rreth 92 milionë euro.

Aston Villa më pas e rriti edhe më tej çmimin dhe Rogers përfundimisht iu bashkua Chelseat për rreth 135 milionë euro. Arsenali pati mundësinë të barazonte ofertën e Chelseat, por drejtuesit e klubit londinez nuk pranuan të paguanin një shumë kaq të lartë.

Në listën e alternativave ishin Bradley Barcola, Kenan Yildiz, Yan Diomande dhe Nico Paz, ndërsa Arsenali monitoronte gjithashtu sulmuesin e Chelseat, Joao Pedro.

Interesante është se në listë ishin edhe dy qendërmbrojtësit e atëhershëm të Tottenhamit, Cristian Romero dhe Micky van de Ven. Ata konsideroheshin si opsione të mundshme në rast se Arsenali nuk do të arrinte marrëveshje për Ezri Konsan. Megjithatë, Tottenhami nuk dëshironte të diskutonte shitjen e lojtarëve te një prej rivalëve të tij më të mëdhenj.

Në fund, Arsenali realizoi disa prej objektivave të tij, duke transferuar Bruno Guimaraes, Ezri Konsan, Christos Tzolis dhe Illan Meslier, ndërsa Piero Hincapié, pas huazimit të sezonit të kaluar, u transferua përfundimisht te klubi londinez.

Lista sekrete e Arsenalit me 21 lojtarë

  • Morgan Rogers
  • Bradley Barcola
  • Kenan Yildiz
  • Yan Diomande
  • Nico Paz
  • Eli Junior Kroupi
  • Elliot Anderson
  • Joao Pedro
  • Vinicius Junior
  • Julian Alvarez
  • Malick Fofana
  • Sandro Tonali
  • Alex Scott
  • Amadou Onana
  • Jérémy Monga
  • Louis-George Fage
  • Iván Fresneda
  • Cristian Romero
  • Micky van de Ven
  • Jacobo Ramón
  • Tarik Muharemović

  • /Telegrafi/

  • telegrafi sport app