Eduard Kuçi mohoi dhunën, Policia e shpall në kërkim për moskallëzim krimi

Një tjetër zhvillim është bërë publik lidhur me ngjarjen ku këngëtari Jozefin Marku dhe shoferi i tij, Kristjan Nikolli, janë arrestuar nga Policia.
Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për të dy, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat dhe rolin e personave të përfshirë.
Ndërkohë, Eduard Kuçi, i cili dyshohet se është sulmuar, është shpallur në kërkim policor për moskallëzim krimi.

Detajet e reja janë bërë publike nga gazetarja Anila Hoxha gjatë emisionit “Breaking” me Fjori Dardhën në Top News.
“Prokurori i çështjes, Françesk Galaj, i ka kërkuar gjykatës arrest me burg. Ende nuk është caktuar ora e seancës për dy të arrestuarit, Jozefin Marku dhe Kristjan Nikolli. Eduard Kuçi nuk e ka kallëzuar krimin, në polici ka thënë se ka qenë një konflikt i thjeshtë për shkak të bllokimit të rrugës me makinë.
Më pas policia ka konfirmuar dhe ka bërë verifikimet e nevojshme, ka ngritur akuzën e moskallëzimit të krimit për Kuçin dhe e ka vënë në kërkim policor. Më pas, Marku është thirrur në polici, por ai nuk ka pranuar. Pas arrestimit ka thënë se është mërzitur që Kuçi e ka ofenduar në rrjetet sociale.
Prokuroria ka ngritur disa akuza ndaj tij dhe Kristjan Nikolli. Kuçi nuk ka bërë denoncim dhe është një hetim i nisur nga ana e policisë. Kuçi është në kërkim policor, që ndryshon nga kërkimi nga ana e gjykatës apo prokurorisë. Ai kërkohet të japë sqarime për ngjarjen.
Prokurori ka kërkuar akt-ekspertimi për të kuptuar nëse ka dëme trupore ndaj viktimës së sulmit. Po hetohet gjithashtu për përdorimin e simboleve të policisë së shtetit. Pika më e fortë e mbrojtjes së Markut do të jetë fakti që Kuçi nuk ka bërë denoncim”, u shpreh Anila Hoxha. /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com















































