Drejtori i kompanisë "Onima", Ekrand Shabani, është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Ngacmimi”.

Rastin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, e cila bëri të ditur se ndalimi është kryer me urdhër të Prokurorit të Shtetit.


“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë, një (1) person me inicialet E.Sh., për shkak se i njëjti dyshohet për kryerjen e veprës penale ‘Ngacmimi’ nga neni 182 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i shtetit është duke i ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast”, ka deklaruar Shala.

Ndërkohë, kujtojmë se në muajin mars, artisti i njohur shqiptar Gjesti, në konsultim me avokatët e tij, kishte dorëzuar kallëzim penal ndaj kompanisë “Onima”, stafit dhe bashkëpunëtorëve të saj.

Në një deklarim për media në atë kohë, këngëtari theksoi se kërkesa e tij është e qartë dhe lidhet vetëm me të drejtën e tij për të qenë i lirë dhe për t’i marrë paratë që i takojnë.

“Kemi bërë kallëzim penal ndaj 'Onima'. Nuk po lypi kurgjo ma shumë e as ma pak, veç me qenë i lirë dhe parët e mia”, u shpreh ai.

Prokuroria, sipas konfirmimit zyrtar, ka njoftuar se hetimet po vazhdojnë dhe se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për zbardhjen e plotë të rastit. /Telegrafi/