LAJMI I FUNDIT:

Arrestohen tre shtetas në Kamëz, sekuestrohen armë dhe drogë

Arrestohen tre shtetas në Kamëz, sekuestrohen armë dhe drogë

Komisariati i Policisë në Kamëz ka finalizuar operacioni e koduar “Combination”, duke sekuestruar drogë dhe armë.

Policia ka evidentuar dhe goditur një rast të shitjes së lëndëve narkotike dhe një rast të armëmbajtjes pa leje.


Si rezultat janë kapur dhe vënë në pranga 3 shtetas, të cilët vepronin në grup për shitjen e lëndës narkotike.

Gjithashtu janë sekuestrohen rreth 3 kg e 200 gramë kanabis, një pjesë e ndarë në doza, gati për shitje, 1 armë zjarri automatik dhe municion luftarak.

Policia e Shtetit njoftoi sot se, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, pasi kanë siguruar informacion se 3 shtetas shitnin lëndë narkotike kanabis, në Kamëz, kanë organizuar punën për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Në këtë kuadër është finalizuar operacioni policor i koduar “Combination”, si rezultat i të cilit u arrestuan shtetasit: K. A., 23 vjeç dhe L. Ç., 59 vjeç, të dy banues në Kamëz; M. N., 48 vjeç, banues në Valias.

Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në Kamëz, shtetasit K. A. dhe L. Ç., të cilëve, gjatë kontrollit fizik, iu kanë gjetur sasi lënde të dyshuara narkotike kanabis.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas e siguronin lëndën narkotike nga shtetasi M. N. dhe pasi e ndanin në doza, i shitnin ato në zona të ndryshme të Kamzës.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit M. N., shërbimet e Policisë gjetën 3 kg e 100 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, 1 armë zjarri automatik dhe municion luftarak.

Lënda narkotike, arma e zjarrit dhe municioni luftarak u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/